Coca-Cola certifikon 150 të rinj kosovarë, të gatshëm për tregun e punës

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 16:22 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Janë certifikuar 150 të rinj që kanë marrë pjesë në programin “Coca-Cola përkrah Rininë”, i cili ka për qëllim t’u ofrojë të rinjve mundësi të zhvillojnë aftësitë personale dhe profesionale.

Në ceremoninë e certifikimit ka marrë pjesë ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, i cili përgëzoi Coca-Cola-n për këtë program, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, ky program ndihmon në zhvillimin e shkathtësive të të rinjve, por rrit edhe namin e kompanive.

“Dëshiroj të përgëzoj Coca Cola-n që kanë nisur këtë iniciativë. Kjo paraqet vazhdimin e veprimtarive të mëhershme, sepse vënia e kontakteve është shumë e rëndësishme kur jeni duke kërkuar punë”.

“ShBA e çmon dhe promovon aktivitetet e Përgjegjësisë Koorporative Shoqërore (PShK), të cilat ndihmojnë në zhvillimin e shkathtësive, rrisin namin edhe të kompanive. Ndërmarrjet amerikane mund të jenë ambasadore efikase në përfaqësimin e vlerave amerikane”.

Duke vlerësuar përpjekjet e Coca-Cola-s për t’i ndihmuar të rinjtë, Delawie ka inkurajuar edhe bizneset tjera të ndjekin këtë rrugë.

“Më vjen mirë që po shoh përpjekjet e Coca-Cola-s që të sjellë të mira për komunitetin, gjithashtu inkurajoj edhe bizneset tjera që të ndjekin rrugën e saj. Shpresoj që të shoh Coca-Cola-n duke shërbyer si frymëzim per ndërmarrjet shoqërore”.

Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, ka deklaruar se ky program është i veçantë, i cili, sipas tij, ka pasur përkrahjen e MAShT-it që nga fillimi, raporton EO.

Sahiti ka uruar që të rinjtë e certifikuar në këtë program të gjejnë vende pune, në mënyrë që, sipas tij, të rrisin mirëqenien e tyre.

“Ky është aktivitet i veçantë dhe i nevojshëm. Ky program ka pasur përkrahjen e MAShT-it që në kontaktet e para. Të gjithë e dimë se papunësia është e madhe. Të rinjtë kur të përfundojnë studimet nuk mund te gjejnë punë”.

“Mundësia që ju jepni këtyre kategorive është për t’u lavdëruar. Uroj që ky program të arrijë rezultatet që 150 apo 300 të rinjtë të kryejnë praktikë dhe një pjesë e tyre të gjejnë vende pune, që të sigurojnë mirëqenie për veten dhe familjen e tyre”.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka mirëpritur këtë program, derisa ka ofruar mbështetjen e komunës për kompanitë që të ofrojnë vende pune, raporton EO.

“Ju ofroj përkrahje kompanive që ofrojnë punësim në komunën tonë. Çdo iniciativë që u ofron mbështetje rinisë, do të jemi afër jush”.

Drejtori Ekzekutiv i Coca-Cola HBC Kosova, Neritan Tira, tha se kjo ngjarje është një mundësi për krijimin e lidhjeve mes punëdhënësve dhe të rinjve që janë certifikuar nga ky program.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për ne si kompani dhe për këta të rinj, të cilët sot më shumë se kurrë ndihen të gatshëm të përballen me atë realitet i cili ka qenë një udhëkryq i rëndësishëm për të gjithë, në një moment a një tjetër të jetës tonë, kalimi nga bankat shkollës në tregun e punës”.

Tira shtoi se duke ditur që ky është viti i parë i implementimit të programit, arritjet e deritashme kanë tejkaluar pritshmëritë, derisa siguroi se do të vazhdojnë edhe viteve të ardhshme, në mënyrë që ta bëjnë programin me ndikim më të madh.

“Si viti i parë i implementimit të këtij programi arritjet e deritashme kanë tejkaluar pritshmëritë tona duke u bazuar edhe në rëndësinë që ka ky program të jeni të sigurt që do të vazhdojmë me të edhe në vitet e ardhshme duke bërë më të madh dhe duke pasur më shumë impakt”.

Tira ka inkurajuar ndërmarrësit dhe përfaqësuesit e bizneseve nga e gjithë Kosova që ishin të pranishëm në këtë ceremoni, të takojnë personalisht këta të rinj të cilët, siç tha, mezi presin t’i vënë në praktikë njohuritë e fituara.

“Coca-Cola përkrah Rininë” është programi më i ri i kompanisë Coca-Cola HBC Kosova që u ofron të rinjve mundësi të zhvillojnë aftësitë personale dhe profesionale.

Përmes trajnimeve triditore, programi ka për qëllim të ndihmojë në aftësimin e të rinjve për tregun e punës dhe vetëpunësim.

Të gjithë të rinjtë e moshës 18 deri 30 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke studiuar, mund të bëhen pjesë e këtij programi.

Pesë punëtoritë e para janë mbajtur gjatë muajve prill dhe maj në Prishtinë, raporton EO.

Ndërsa punëtoritë e dyta do të mbahen në tetor dhe nëntor.

Të ngjashme