Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prizren do të ofrojë shërbime mjekësore 24 orë

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Që nga sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, do të punojë edhe me ndërrimin e tretë dhe do t’i ofrojë qytetarëve të komunës së Prizrenit shërbime mjekësore për 24 orë.

Sipas një njoftimi të Komunës së Prizrenit, krahas njësisë së Urgjencës, QKMF-ja do të jetë adresa e dytë shëndetësore e nivelit komunal që do të punojë me orar të plotë.

Me këtë rast, thuhet tutje, njësia e Urgjencës do të lirohet nga mbingarkesa dhe do të merret vetëm me rastet urgjente, derisa në QKMF do të ofrohen shërbime për raste që nuk janë urgjente.

Bëhet e ditur se kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu, së bashku me stafin menaxhues të QKMF-së, përuruan këtë shërbim të ri.

“Me anë të shërbimeve cilësore, pastërtisë dhe mënyrës së trajtimit të pacientëve, po i kthehet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve shëndetësore në nivelin komunal. Rreth 80% të shërbimeve mjekësore po kryhen në shërbimin parësor mjekësor, duke filluar që nga analizat e deri tek mamografia, dhe kjo e bënë Komunën e Prizrenit njërën prej komunave më të suksesshme në këtë aspekt”, ka thënë ndër tjerash kryetari Haskuka.

Ndërsa drejtori Shehu me këtë rast ka bërë të ditur se shërbimi 24 orësh në QKMF është pjesë e reformës që po bëhet në shërbimin parësor shëndetësor dhe paralajmëroi edhe për shumë projekte të reja që do të realizohen gjatë këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme