Këngëtari i njohur Yll Limani ka humbur maçokun e tij, të cilin e adoptoi pak kohë më parë. Siç thotë ai, maçokun ia kanë sulmuar tetë qenë endacakë, ndërsa reagimi i tij për komunën e Prishtinës ka qenë mjaft i ashpër.
Ai tha se “çka nëse në vend të macës do ishte fëmiu im” apo “nëse në vend të macës të isha unë”.
“Kur Loki u shqye nga qentë e lagjes, krejt çka përjetova ishte mllef dhe irritim ndaj qeverisjeve komunale që lundrojnë nëpër liqejt e tyre imagjinarë. Asnjë moment nuk u irritova me ndonjërin prej qenve”, ka shkruar Ylli në InstaStory.
Sipas tij, përgjegjëse është Komuna e Prishtinës, e cila supozohej të ishte e përjetimeve, por që nuk po janë të bukura.
“Përgjigja normalisht që është e thjeshtë: Tek qeverisja e re e Prishtinës, për të cilët refuzoj me besu që jetojnë përbrenda renderave të tyre që kryeqytetin e shohin si planimetri të shkëputur prej problemeve ditore. Tek qeverisja e re që ka filluar mandatin duke na garantuar që mandati i tyre do të jetë i perjetimeve – të cilat s’po dalin me qenë domosdoshmërisht të bukura. Të paktën jo për familjen tonë” ka shtuar Ylli.
Ai e përfundoi rrëfimin e tij duke zbuluar tatuazhin që ka bërë në nderim të Lokit.