Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ka filluar me një minutë heshtje për nderë të 46 viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari.
Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim të shpejtë.
“Urojmë që tragjeditë e tilla të mos na përsëriten”, u shpreh ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar zëvendëskryeministra Besnik Bislimi dhe Emilja Rexhepi,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar qytetarët të Republikës,
Një udhëtim, që do të duhej të përmbyllej me gëzimin e kthimit në shtëpi dhe evokim kujtimesh të freskëta, u ndërpre tragjikisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në autostradën “Struma” në Bullgari.
46 udhëtarë, prej tyre 12 fëmijë, nuk arritën t’u mbijetojnë flakëve të zjarrit, që kaploi autobusin, i cili po kthehej nga Turqia në Maqedoninë e Veriut.
Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga kjo tragjedi kombëtare.
Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi. Të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe urojmë që tragjeditë e tilla, të mos na përsëriten.
Në shenjë solidarizimi dhe nderimi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dita e sotme në Kosovë, është ditë zie shtetërore.
I nderuar kabinet qeveritar,
Ju ftoj për një minutë heshtje në nderim të 46 jetëve të humbura tragjikisht.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!