Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, kanë nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për rekrutim në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.
Kryeministri Haradinaj tha se Britania i ka ndihmuar Kosovës në kthimin e besimit në institucione, raporton Ekonomia Online.
“Kam nderin të konfirmoj se qeveria po vazhdon partneritetin me Britaninë si mik i Kosovës. Ambasada na ka ndihmuar në kthimin e besimit në institucione dhe në rekrutim duke parandaluar nepotizmin”.
Haradinaj tha se janë dakorduar me ambasadën e Britanisë që të vazhdojnë me rekrutime edhe në 22 pozita, pasi deri më tani janë zgjedhur 21 pozita drejtuese përmes këtij bashkëpunimi.
“Tani jemi dakorduar për listën e re me 22 pozita që do të realizohen për periudhën përpara. Jemi me fat që ekspertizën britanike e kemi dhuratë. Ju siguroj se jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë”.
Ambasadori O’Connell tregoi se ky projekt siguron që fazat e rekrutimit të kalohen vetëm nga njerëzit meritorë, raporton EO.
“Ky projekt siguron që njerëzit meritorë të kalojnë fazat e rekrutimit dhe emërimi bëhet nga qeveria. Për këtë, suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës dhe dështimi i projektit është dështim për Kosovën”.
O’Connell deklaroi se në tri raste janë emëruar persona që nuk kanë përmbushur kriteret për rekrutim në pozita të larta.
“Pesë procese kanë përfunduar mirë dhe nuk ka pasur rezultat në emërim. Kemi tri raste që janë emëruar persona që nuk kanë përmbushur kriteret. Rezultati nuk është perfekt, por është më i mirë se që kemi menduar në fillim, prandaj ia vlen ta vazhdojmë edhe këtë vit”.
Ambadori O’Connell tha se projekti mund të konsiderohet i sukesshëm vetëm kur u jepet hapësirë profesionistëve të punojnë pa frikë, raporton EO.
“Projekti megjithatë ka siguruar që profesionistët të emërohen në pozita të larta. Projekti mund të konsiderohet sukses vetëm atëherë kur profesionistëve u jepet hapësira të punohet me nder dhe pa frikë”.
“Ftoj profesionistet e Kosovës të mos vetëcenzurohen, por të aplikojnë. Ftoj shoqërinë civile që ta ngrenë zërin çdo herë kur vërejnë që diçka nuk është në rregull”.
Kryeministri Haradinaj tha se në listat e ngushta të rekrutimit nuk do të hynë personat që kanë “të njofshëm” apo vetëm pse i takojnë një partie.
“Në listën e ngushtë nuk mund të hyjnë ata që kanë të njofshëm ose janë të një partie, mund të hyjnë por jo pse janë të një partie”.
“Shërbimi korrektues është i rëndësishëm. Ka trende pozitive, e kuptoj që procese perfekte është zor me realizu, por procesi i rekrutimit është i rëndësishëm për Kosovën”.
Ambasadori Oconnell tha se kanë vendosur të vazhdojnë projektin sepse ka pasur sukses në vitin e parë, derisa u shpreh optimist se ky sukses mund të rritet edhe sivjet.
“Ne nuk pranojmë të marrim vendime ne emër të Kosovës. Projekti do të vijë me një listë kandidatësh, dhe qeveria mund të zgjedhë listën e kandidatëve. Qeveria duhet të ketë të drejtë të emërojë kandidain më të përshtatshëm”.
“Kemi vendosur ta vazhdojmë projektin, sepse ka pasur sukses dhe mund të ketë. Nuk do të investojmë paranë e Britanisë vetëm për dështim”.