Ramush Haradinaj, me 61 vota për dhe një abstenim ka arritur që të zgjedhet kryeministër i shtatë i Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj edhe është betuar si kryeministër i ri i Kosovës ndërkaq dhënia e betimit është bërë nën intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.
Haradinaj morri postin e kryeministrit për të dytën herë. Ai ishte kryeministri i dytë i Kosovës duke e ushtruar këtë funksion nga data 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005, kur dha dorëheqje për t’i përgjigjur procesit gjyqësor në Hagë.
Paraardhës i Haradinajt ishte kryeministri në detyrë, Isa Mustafa. Ai filloi ushtrimin e këtij posti nga dhjetori i vitit 2014.
Para Mustafës, qeverinë e udhëhoqën Agim Çeku, Bajram Kosumi dhe Adem Salihaj. Ndërsa kryeministër i parë i Kosovës së pasluftës ishte Bajram Rexhepi.
Haradinaj do të udhëheq 21 dikastere qeveritare.
PDK-ja do të ketë më së shumti ministri pesë. Bedri Hamza, do të jetë ministër i Financave; Albelard Tahiri, ministër i Drejtësisë; Uran Ismajli, ministër i Shëndetësisë; Besim Beqaj, do të udhëheqë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë; Kujtim Gashi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Dhurata Hoxha, ministre e Integrimeve Evropiane.
Ndërsa zëvendëskryeministër do të jetë Enver Hoxhaj.
Nisma për Kosovën ka tri ministri. Bajram Hasani do të jetë ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Shyqiri Bytyqi pritet të jetë ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale do të jetë Skendër Reçica. Nismës i takon edhe posti i zv-kryeministrit, që do ta ushtrojë Fatmir Limaj.
AAK-ja ka dy ministri Pal Lekaj do të udhëheq ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa Rrustem Berisha atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurse nga AKR-ja Flamur Sefaj do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Albena Reshitaj do të jetë Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa Valdrin Uka do të drejtojë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Lista Serbe ka vendosur që ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Ivan Teodosijeviq. Ministër për Kthim dhe Komunitete do të vazhdojë të jetë Dalibor Jevtiq, i cili në tri mandate ka drejtuar këtë ministri, ndërsa ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Nenad Rikalo.