Qeveria jep detaje për takimin e Kurtit me ambasadorët në Kosovë

Prishtinë | 20 Mar 2023 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim me ambasadorët në Kosovë, takim ky që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka dhënë detaje në lidhje me këtë takim, ku fillimisht thuhet se Kurti i ka informuar ambasadorët në lidhje me ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër.

“Në këtë takim të gjerë e të përbashkët, ai i informoi ata për ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë”.

“Në tekst të Aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se Kurti ka theksuar se delegacioni i Kosovës ka qenë maksimalisht I përkushtuar dhe konstruktiv, përcjell Klankosova.tv.

“Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë. Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur”.

“Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme