Është mbajtur sot takimi i pestë me radhë për Sundimin e Ligjit, i inicuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Takimi i sotëm pati për fokus Sundimin e Ligjit në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, transmeton Ekonomia Online.
Përmes një komunikate për medie, Qeveria bën të ditur se kryeministri Ramush Haradinaj tha se sundimi i ligjit ende vazhdon të mbetet si sfidë për vendin, por se po punohet me përkushtim me të gjithë akterët, në mënyrë të përmirësimit të gjendjes në këtë fushë.
Kryeministri Haradinaj inkurajoi gjithashtu të gjitha palët e përfshira në këtë fushë, që të punojnë edhe në nxjerrjen e akteve ligjore e nënligjore, në mënyrë që të mos jenë pengesë këto për të ecur përpara.
“Blerim Isufaj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka renditur punët e këtij Këshilli për vitin që lamë pas, duke përmendur edhe sfidat me të cilat po përballen siç është buxheti i pamjaftueshëm, rekrutimi i stafit dhe plotësimi i pozitave në këshill.
Nga ana tjetër kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka treguar se në vitin 2017-të janë zgjidhur 71.230 lëndë penale dhe se 89 për qind të të akuzuarve kanë përfunduar me aktgjykime. Kryeprokurori Lumnezi ka treguar që sfidë vazhdon të mbetet edhe plotësimi i vendeve të lira në Prokurori, të cilat mund të vijnë vetëm nga ndryshimi i kritereve të emërimit dhe ndryshimi i ligjit të ri për konfiskimet”, thuhet në komunikatë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie inkurajoi Kuvendin e Kosovës që sa më parë të kalojë në procedim paketën ligjore, në mënyrë që të ketë progres në fushën e sundimit të ligjit edhe në planin e brendshëm të Kosovës por edhe në rrugën e saj integruese.
Ndërkaq , Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova përmendi rolin kyç të prokurorëve në vend dhe adaptimin e legjislacionit të nevojshëm për punën e tyre.
“Shefja e Eulex-it Alexandra Papadopoulou përmendi rëndësinë e rekrutimit të më shumë prokurorëve në vend dhe aftësimin e stafit në specifika të caktuara për punën e tyre.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial, njoftoi se pakoja prej 10 ligjeve është dërguar në Kuvend dhe po pritet kalimi i tyre në leximin e dytë.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se sa më i madh të jetë intensifikimi në shenjtërimin e rasteve dhe zgjidhja e tyre, por edhe konsolidimi i paketës ligjore, Kosova ka mundësi më të mëdha të marrë komente pozitive nga Bashkimi Evropian dhe kështu të ecet më shpejtë dhe hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane”, thuhet tutje në komunikatë.
Takimi i sotëm, është takimi i radhës në kuadër të nismës që kryeministri Ramush Haradinaj ka ndërmarrë me fillim të mandatit për ta shpallur 2018-tën vit të sundimit të ligjit në vend. Në takimin e radhës, Haradinaj ftoi të gjithë akterët që të diskutojnë për gjendjen në sistemin Gjyqësor të Kosovës.