Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe protokolleve të saj, me qëllim garantimin e tregtisë së lirë, konkurrencës së ndershme dhe përfitimit për konsumatorët, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se zbatimi i obligimeve brenda CEFTA-s po krijon kushte më të favorshme për ekonominë dhe qytetarët.
“Obligimet e ndërmarra brenda CEFTA tani sigurojnë tregti më të lirë dhe shërbime më të shpejta, besueshmëri digjitale, qasje të barabartë dhe konkurrencë të drejtë dhe përfitim për konsumator”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se gjatë këtij mandati Kosova ka arritur përfaqësim të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në CEFTA, duke larguar UNMIK-un nga ky rol.
“MINT krahas përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit gjatë këtij mandati ka adresuar dhe ka siguruar përfaqësimin e Kosovës në marrëveshjen e CEFTA nga institucionet e saj duke larguar UNMIK që përfaqësonte Kosovën në CEFTA si dhe duke miratuar një seri vendimesh që kanë dalë nga CEFTA ku 11 nga këto vendime janë miratuar kur Kosova u përfaqësua nga MINT dhe jo UNMIK. Pas 13 zbatim të marrëveshjes për herë të parë morëm iniciativën zyrtare për të rregulluar përfaqësimin e Kosovës në CEFTA. Adresuam letrën në sekretarinë CEFTA në Bruksel ku përmes kësaj letre kërkuam largimin e UNMIK nga ky mekanizëm që Kosova të përfaqësohet e barabartë si vendet e tjera”, tha ajo.
Po ashtu ishin dhe dy pika tjera, ajo për vendimin në lidhje me Memorialin e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali dhe ndarja e mjeteve për Bursën e Mobilitet për Studentë.
Para një muaji e kam mirëpritur në kryeministri, Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve, z. Rosario Petta. Ndër temat që kishim diskutuar dhe për të cilat ishim pajtuar, ishte edhe memorializimi i veprës dhe kujtimit të heroizmit të kryekomandantit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij epike në këtë komunë arbëreshe në Itali. Sot do të themelojmë Komisionin Profesional për përzgjedhjen e artistit apo grupit të artistëve për ngritjen e Memorialit për Familjen Jashari dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hora e Arbëreshëve. Memoriali do të jetë donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës për arbëreshët në Itali. Gjithashtu, po ndajmë 1.65 milionë euro për grupin e parë të studentëve përfituesve, rreth 10 mijë prej tyre, të Programit të Bursës së Mobilitetit për Studentë. Siç kemi njoftuar më parë, vlera e bursave ndryshon varësisht nga distancës prej vendit ku jetojnë dhe vendi ku studiojnë studentët. Kjo bursë synon që të zvogëlojë pabarazitë dhe të krijojë mundësi edhe për ata studentë, që vijnë nga zonat e largëta e që për ta studimet do të ishin më të kushtueshme. Me këtë, është përmbushur qysh tash njëri nga premtimet e Qeverisë sonë për mandatin e ardhshëm. Duke qenë Qeveri në detyrë tashmë po kryejmë edhe detyra të së ardhmes”, tha Kurti.
Kurti ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve në vendlindje.
“Dhe për fund, para se t’ia nisim mbledhjes, nga këtu u urojmë mirëseardhje në vendlindje bashkatdhetarëve tanë, që kanë nisur të vijnë dhe do të vijnë edhe më shumë gjatë javës tjetër. Atyre që tashmë kanë ardhur, urojmë që po kalojnë momente e kohë të këndshme me familjet dhe miqtë e tyre, ndërkaq, atyre që do të udhëtojnë ditëve në vijim, u urojmë rrugë të mbarë. Institucionet e shtetit, duke nisur nga policët kufitarë, do të jenë në dispozicion dhe në krye të detyrës për një mikpritje sa më të mirë”, u shpreh ndër të tjera ai.
