23 komuna kanë përfituar Grantin Hapësinor dhe të Infrastrukturës të Kosovës, organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se synim i Qeverisë është zhdukja e mbeturinave të cilat ndikojnë negativisht në jetën e qytetarit.
Tutje shefi i Qeverisë tha se sa më pak mbeturina përfundojnë në deponi, më pak ndotje e më shumë rritje ekonomike do të ketë për vendin.
“Sasia e trajtuar dhe deponuar në vitin 2020 ka qenë pak mbi 450 mijë ton, me një rritje të lehtë. Komuna është baza ku fillon zhvillimi, ku gjenerohen më tepër mbetjet. Gjenerimi i mbetjeve dhe menaxhimi i dobët i tyre shkakton dëm të dyanshëm, mjedisor dhe ekonomik”.
“Sa më pak mbeturina përfundojnë në deponi, më pak ndotje e më shumë rritje ekonomike kemi, prandaj është e rëndësishme ta ndryshojmë qasjen e mbetjeve dhe mënyrën sesi prodhojmë e konsumojmë”.
“Por komunat nuk mund ta bëjnë këtë vetëm, u duhet ndihma e Qeverisë dhe pjesëmarrja e qytetarëve dhe komuniteteve që të lëvizim drejtë ekonomisë qarkore dhe të një shoqërie që emeton zero mbeturina”, tha ai, teksa u premtoi komunave më shumë buxhet në zhdukjen e mbeturinave.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, tha se ofrimi i këtij granti për komunat ka luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekzistuese krahasuar me gjendjen në vitin 2017, kur kjo skemë nuk kishte ekzistuar.
“Ofrimi i këtij granti për komunat ka luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekzistuese krahasuar me gjendjen në vitin 2017, kur kjo skemë nuk kishte ekzistuar”.
“Data-baza që ofron mënyrën nën kohën reale të menaxhimit të legjislacionit të mbeturinave, do të kontribuojë edhe në zbatimin paqësor ministrisë sonë, që konsiston në politikat dhe legjislacionin në fushën e menaxhimit të mbeturinave, të bazuara në evidencë të të dhënave”, tha ai.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se skema të tilla janë të inkorporuara në programin e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
“Granti për performancë është inkorporuar gjithashtu edhe në programin katër vjeçar të Qeverisë, ku jemi duke punuar që ta avancojmë edhe më tepër këtë skemë, andaj ne e kemi hartuar Ligjin për performancë, i cili shumë shpejtë do të procedohet për aprovim në Qeveri”, tha Krasniqi.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,
I nderuari ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi,
I nderuari Ambasador i Gjermanisë, z. Jörn Rohde,
I nderuari Udhëheqës i Sektorit për Bashkëpunim, në zyrën e Bashkimit Evropian, z. Luigi Brusa,
Të nderuar kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Gjenerimi i mbetjeve është në rritje në nivel lokal dhe global. Në Kosovë, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave në vitin 2020 janë grumbulluar gjithsej 456 mijë ton mbeturina komunale ose 253 Kg për kokë banori. 1% më e lartë kjo shifër krahasuar me vitin 2019 dhe 12% më e lartë krahasuar me vitin 2018.
Ndërkaq, sasia e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara në vitin 2020 ka qenë pak mbi 450 mijë ton, me një rritje të lehtë prej 0.03 % krahasuar me vitin 2019.
Komuna është baza ku fillon zhvillimi por edhe baza ku gjenerohet më së shumti mbetje. Gjenerimi i vazhdueshëm i mbetjeve dhe menaxhimi i dobët i tyre shkakton dëm të dyanshëm: edhe mjedisor, edhe ekonomik. Mbetjet janë nënprodukt i aktivitetit ekonomik por edhe kontribuojnë në aktivitet ekonomik. Sa më pak mbeturina që përfundojnë në deponi më pak ndotje e më shumë rritje ekonomike do të kemi. Prandaj, është e domosdoshme ta ndryshojmë qasjen ndaj mbetjeve dhe mënyrës se si prodhojmë e konsumojmë.
Por, Komunat nuk mund ta bëjnë këtë vetëm. Duhet ndihma e qeverisë dhe pjesëmarrje aktive e qytetarëve dhe komuniteteve që të lëvizim drejt ekonomisë qarkore dhe një shoqërie që emeton zero mbetje. Qeveria është e përkushtuar që ta krijojë bazën drejt një kornize ligjore të qëndrueshme, e cila do t’ju mundësojë komunave që të kenë mbështetje të përhershme, pra jo të njëhershme.
Këtë vit, edhe Java Evropiane për Reduktimin e Mbetjeve na sfidon të veprojmë së bashku për të parandaluar prodhimin e mbetjeve dhe për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm.
E pikërisht këtë javë, që është Java Evropiane për Reduktimin e Mbetjeve ne po e shënojmë përmbylljen e fazës së parë të Grantit të Performancës Komunale – Mjedisi i Pastër, skemë kjo e përbashkët e granteve të Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane.
Si instrument financiar që bazohet në rezultate, ky grant në mënyrë shumë transparente ka kanalizuar paranë publike nga niveli qendror në atë lokal e lidhur me indikatorë të qartë për ndarjen e fondeve. Granti, po ashtu, ka ndihmuar në decentralizimin e përgjegjësisë duke motivuar zhvillimin e zgjidhjeve lokale për problemet globale që i kemi të gjithë në sektorin e mjedisit dhe veçanërisht në atë të mbeturinave.
Sot po shënojmë disa nga sukseset e arritura në këtë fazë (3 vjeçare) duke filluar nga rritja e shkallës së mbulimit me shërbim të mbeturinave, rritja e inkasimit deri te reduktimi i deponive ilegale.
Vetëm gjatë kësaj periudhe janë eliminuar mbi 1,000 deponi ilegale, është rritur shkalla e mbulimit me shërbim të mbeturinave në 83.9 % dhe shkalla e inkasimit në 90.72%, janë zhvilluar kapacitetet lokale në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, pastaj 15 komuna kanë filluar aktivitetet e riciklimit dhe të kompostimit dhe 22 mijë klientë të rinj i janë shtuar sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
Krahas përmirësimeve të dukshme në ofrimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave, me krijimin e bazës së të dhënave të qëndrueshme, vendi ynë ka bërë disa hapa tejet të rëndësishëm në drejtim të ekonomisë qarkore.
Andaj, jam i inkurajuar me angazhimin e komunave deri më tani që jep shpresë për të arritur shkallën e pjekurisë për të mundësuar kalimin nga shërbimet themelore në shërbimet e integruara të mbeturinave.
Gjatë kësaj faze janë arritur suksese të cilat dëshirojmë t’i shohim edhe në fazën tjetër me një intensitet edhe më të lartë të arritjes së objektivave.
Granti i Performancës Komunale – Mjedisi i Pastër ka kontribuar dhe do të kontribuojë në zbatimin e programit të Qeverisë (kapitulli 2.12) përfshirë edhe:
Ne tashmë e kemi aprovuar koncept dokumentin për skemën e granteve të performancës komunale dhe, përderisa po flasim këtu, është duke u hartuar Ligji për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale. Ky ligj do të shërbejë si pikë hyrëse për t’i kanalizuar fondet e investimeve të Qeverisë për komunat, në mbështetje të përpjekjeve tuaja për ta avancuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve në grumbullimin e mbeturinave.
Dhe në fund, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua ta konfirmoj përkushtimin për ta vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm me komunat në promovimin e sektorit të menaxhimit të integruar të mbeturinave dhe të ekonomisë qarkore, hapat e parë të së cilës po i hedhim tani.
Ju faleminderit shumë të gjithëve!