Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për krijimin e Zonës Ekonomike Amerikane në Gjakovë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se krijimi i një zone të tillë ka qenë kërkesë edhe nga investitorët amerikanë. Sipas tij, është nder i veçantë krijimi i kësaj zone.
“Janë bërë punët e duhura çdo gjë është e përgatitur për vendim. Është poashtu nder i posaçëm do të pasojë një plan fizibilitetit që nënkuptoj edhe kyçjen e USAID-it amerikan”.
Muajin e kaluar Haradinaj kishte nxjerr një vendim për themelimin e grupit punues, i cili kishte për detyrë që të analizojë tërë legjislacionin dhe dokumentacionit administrativ të nevojshëm për themelimin e Zonës Ekonomike Amerikane.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Qeveria nuk ka dhënë sqarimet e nevojshme, raporton EO.
“Çfarë do t’iu ofrohet brenda zonës së investitorëve amerikanë në këtë rast, besoj që është ende e paqartë, për shkak se qeveria përveç vendimit të themelimit të një grupi i cili do ta analizonte legjislacion dhe do të gjente vendin e përshtatshëm nuk ka sqaruar diçka tjetër”.
“Pikëpyetje mbetet edhe nëse ekziston baza ligjore për të ofruar ndonjë lehtësirë. Ekziston ligji për të ardhurat e korporatave që mundëson pushimet tatimore, por jo diçka që mund t’u ofrohet investitorëve brenda zonave të lira ekonomike”.