Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se qëllimi i shfuqizimit të Ligjit është zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, me këtë rast ndalohen të gjitha lojërat e fatit përveç Lotarisë së Kosovës.
“Qëllimi i hartimit është zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkohet nga Qeveria t’i nis procedurat ligjore për ndalimin deri në miratimin e Ligjit për Lojërat e Fatit”.
“Me këtë projektligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit përveç Lotarisë së Kosovës”.
Më 22 mars me asnjë votë kundër Kuvendi miratoi rezolutë që parasheh t’i ndalojë kazinotë dhe lojërat e fatit për një periudhë prej 10 vjetësh.
Ky veprim vjen pas incidenteve të fundit që kanë ndodhur brenda lojërave të fatit, të cilat kanë përfunduan me viktima.
Rasti i parë ndodhi në Suharekë më 17 mars, kur në kazino u vra një 30 vjeçar nga një polic. Ndërsa rasti i dytë më 20 mars në Lipjan, ku pas një grabitjeje në kazino, u qëllua punëtori i kazinosë, një 36 vjeçar.