Me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e dy grupeve punuese.
Njëri grup për vlerësimin e aseteve që janë në pronësi të Trepçës dhe përfshirja e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare “Trepça” si dhe për trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se këto grupe janë duke u themeluar me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira dhe të pranueshme.
“MZhE është kujdesur që të japë përgjigjet për shqetësimet e sindikatës së minatorëve, me qëllim të gjetjes më të mirë dhe të pranueshme. Vlerësojmë se duhet të themelohet grupi teknik për vlerësimin e aseteve”.
“Ky grup punues do të ketë për qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira dhe të pranueshme”, tha Lluka, raporton EO.
Grupi punues teknik për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Trepça” Sh.A., dhe përfshirja e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare “Trepça” Sh.A. Grupi do të ketë në përbërje:
1. Ministria e Zhvillimit Ekonomik – dy përfaqësues,
2. Zyra e Kryeministrit – një përfaqësues,
3. Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – një përfaqësues,
4. Bordi i Trepçës – një përfaqësues,
5. Menaxhmenti i Trepçës – një përfaqësues,
6. Sindikata e Trepçës – dy përfaqësues,
7. Ekspert i pavarur – një përfaqësues.
Grupi do të përgatisë propozimin final për Qeverinë, jo më larg se tre muaj pas miratimit të këtij vendimi.