Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar projekt rregulloren për fushat e përgjegjësisë së zyrës së kryeministrit dhe ministrive, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti me fillim të mbledhjes ka kërkuar nga ministrat e tij që sa më shpejt ti sjellin të gjitha vendimet e propozuara në tavolinën e tij.
Ai tha se rregullorja e re i hap rrugë sistemimit të përgjegjësive të kryeministrit dhe ministrave.
“E di që ka vendime të shumta që janë duke u përgatitur nga të gjitha ministritë dhe që janë urgjente, por sot është një vendim me urgjent që është rregullorja e re e cila i hap rrugë sistemimit të përgjegjësive që kemi në kryeministri dhe ministri të ndryshme”, tha Kurti.
Rregullorja përkufizon funksionet e Qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe kompetencat përmes miratimit të vendimeve me propozimin e anëtarëve të Qeverisë dhe institucioneve tjera në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi; miratimit të akteve juridike ose rregulloreve, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; diskutimin e problemeve dhe miratimin e vendimeve për çështje të tjera që ajo i konsideron të rëndësishme në kuadër të kompetencave të saj; miratimit të vendimit për emërimet dhe shkarkimet brenda kompetencave të saj, si dhe kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
Rregullorja e miratuar nga Qeveria e Kosovës përcakton edhe përbërjen nga këto ministri:
1. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD);
2. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT);
3. Ministria e Drejtësisë (MD);
4. Ministria e Mbrojtjes (MM);
5. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB);
6. Ministria e Shëndetësisë (MSH);
7. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI);
8. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS);
9. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL);
10. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI);
11. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR);
12. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT);
13. Ministria e Ekonomisë (ME);
14. Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK);
15. Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR)
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se ka dërguar disa komente edhe ai për projekt rregulloren e MF.
“Në lidhje me projekt rregulloren që e kemi pranuar, janë konceptet e ministrisë së Financave që për shkak formulimit mund të jenë atribuuar si kompetneca”.
Ministrja e Industrisë Tregtisë dhe Ndërmarrësi, Rozeta Hajdari tha se ka dërguar disa komente që janë sqaruese e cila ka thënë se duhet të korrigjohen”.
Kjo ishte pika e vetme e kësaj mbledhje të qeverisë. Ndërsa në të ndryshme asnjë ministër nuk e mori fjalën.