Qeveria e Kosovës ka miratuar sot dy projektligje, tri koncept-dokumente dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Republikën e Kosovës, është aprovuar në mbledhjen e sotme. Qëllimi i këtij Projektligji është rregullimi i statusit juridik të bashkësive fetare në Republikën e Kosovës dhe Ligjin për Lirinë Fetare në Republikën e Kosovës ta bëjë më të zbatueshëm dhe më funksional në fushëveprimin e tij.
Projektligji i dytë cili ka marr miratimin e kabinetit qeveritar është ai për kontrollin e brendshëm të financave publike. Qëllimi i këtij Projektligji është sistemimi i kontrollit të brendshëm financiar, menaxhimin e financave, auditimin e brendshëm dhe harmonizimin e këtyre veprimeve me standardet ndërkombëtare.
Në vazhdën e mbështetjes së Qeverisë së Kosovës për sektorin e bujqësisë në Republikën e Kosovës, në mbledhjen e sotme është miratuar koncept-dokumenti për bujqësi dhe zhvillim rural. Me këtë koncept-dokument synohet thithja e fondeve nga donatorët potencial me synim të përkrahjes së drejtpërdrejt të prodhimtarisë bujqësore dhe krijimin e lehtësirave për këtë sektor.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe koncept-dokumentin për sigurimet shëndetësore në të cilën adresohen nevojën e korrigjimit të disa çështjeve në fushën e sigurimit shëndetësor. Kjo do sigurojë financim të qëndrueshëm dhe qasje në shërbime shëndetësore cilësore në harmoni me kërkesat e qytetarëve.
Edhe koncept-dokumenti për Diasporën, i cili ofron opsione për zgjidhje praktike lidhur me promovimin e të drejtave politike dhe sociale të diasporës, ruajtjen e identitetit dhe fuqizimin e lidhjeve me diasporën, integrimin e diasporës në shtetet në të cilat jeton dhe përfshirja e diasporës në zhvillimin ekonomik.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar të shpronësimit të pronave të paluajtshme për realizimin e projektit për ndërtimin e “Ngrohtorja e re e Qytetit në Gjakovë”, në zonën kadastrale të Gjakovës, në Komunën e Gjakovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe raportin e punës të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar për periudhën janar-dhjetor 2015.
Me vendimin e aprovuar në mbledhjen e sotme është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ për vitit 2016.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka informuar kabinetin qeveritar lidhur me mungesën e mjeteve te kategoria e pensioneve për veteranët e luftës.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në konsultime të vazhdueshme ditore me Ministrinë e Financave për gjetjen e këtyre mjeteve. Po flasim për mjete financiare vetëm për pagesën e muajit shtator, një minus prej 1.6 milionë euro, të cilat jemi duke i kërkuar, por gjithashtu jemi në konsultime edhe për mjetet financiare për tre mujorin e fundit me një faturë prej rreth 5 milionë euro në muaj. Besoj që shumë shpejt do të reagojmë për pagesën e këtij muaji, mungesën e fondit apo pagesave të pensioneve për muajin shtator, do të punojmë edhe për tre mujorin tjetër për gjetjen e mjeteve shtesë.
Çështja e dytë që është ngritur në opinion ka të bëjë me pagesat e dyfishta të pensioneve. Ne kemi një rekomandim të Auditorit që të bëhen ndalesa për këto pensione. Mendojmë që ka paqartësi ligjore rreth kësaj çështje, por është dashtë të veprojë administrata shkaku i rekomandimit të prerë të Auditorit, por besojmë që gjatë javëve në vijim ne do të sjellim projektligj për skemat e pensioneve të ndryshme të financuara nga shteti ku do të definojmë edhe më qartë tek pensionet familjare dhe pensionet invalidore sepse është prekur një numër i madh i familjeve të dëshmorëve të luftës, ku është ndërprerë njëra prej pensioneve. Prandaj, ne duhet të qartësojmë me propozimin e ri të cilin shumë shpejt do ta sjellim në Kuvend”, tha ministri Abrashi.
Kryeministri Isa Mustafa, lidhur me këtë çështje tha se Qeveria është në një gjendje mjaft të pakëndshme dhe të rëndë në dy aspekte.
“Njëri aspekt është problemi financiar, që ne nuk mund të veprojmë me llogari të hapur dhe të pakufizuar, sepse atëherë nuk menaxhojmë me buxhet, në qoftë se ne nuk mund të parashohim dhe të përballojmë këto shpenzime. Problemi i dytë është kriteri që para nesh po e vë Fondi Monetar Ndërkombëtar lidhur me programin e FMN-së, që kërkon që domosdoshmërisht të marrim masa në këtë fushë dhe ta gjejmë një zgjidhje, e cila siguron që buxheti të jetë stabil dhe të mos rrezikohet qëndrueshmëria buxhetore. Për këtë të dytën ne do të vazhdojmë të bisedojmë edhe me Kuvendin dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës që të gjejmë zgjidhje, sepse po qe se nuk gjejmë zgjidhje, ne do të rrezikojmë të gjitha marrëveshjet që i kemi me FMN-në, do të rrezikojmë kreditë ndërkombëtare të cilat i kemi, edhe marrëveshjet që i kemi lidh deri tani me BERZH-in dhe me Bankën Evropiane për Investime, por edhe mjetet tjera, të cilat i marrim nga institucionet e Bashkimit Evropian, që janë të ndërlidhura me Fondin, sikurse edhe me fondet që i kemi planifikuar nga marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për MCC-në, përkatësisht për Korporatën e Sfidave të Mileniumit. T gjitha këto lidhen me disiplinën financiare edhe me përmbajtjen e kushteve që Fondi Monetar Ndërkombëtar i shtron tek ne. Ajo që ne duhet të procedojmë është që të bëjmë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit, në mënyrë që ne të kufizojmë mjetet të cilat, sipas propozimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mund t’i përballojmë si buxhet, sepse në qoftë se sivjet na rrëshqasin mjetet nga 24 milionë në 40 milionë ose në 50, atëherë shtrohet pyetja çka do të kemi, cilën faturë do ta kemi vitin e ardhshëm?’. Dhe e dyta, ne nuk mund të paguajmë mjete për individë të cilët kanë hy në listë aty, por të cilët nuk i kanë meritat, sepse ndryshe do të hyjmë edhe në veprimtari korruptive, sepse do të paguajmë mjete për ata të cilët nuk meritojnë para publike. Kjo që ka ndodhur është punë tjetër, por ne duhet të bëjmë përpjekje që këtë muaj ta përmbyllim, në mënyrë që të mos mbesin, sepse në radhët e tyre ka shumë që e meritojnë. Ne kur kemi biseduar, Komisioni na ka garantuar që ai numër do të sillet rreth 12 mijë vetë të cilët do të marrin pensione. Tash prej 12 mijë është rrit në 30 mijë, nga 30 mijë kalon në 40 mijë, dhe ne mjete është vështirë të sigurojmë, të paguajmë për gjërat për të cilat ne nuk jemi të sigurt. Me qenë ne të sigurt që i kemi 40 mijë veteranë dhe që vërtetë kanë qenë veteranë dhe e kanë statusin e veteranëve, atëherë atë s’mund ta mohoj askush, mirëpo në këtë rast është mjaft problematike. Ne e kemi Misionin e Fondit Monetar këtu, dhe duhet të mundohemi të harmonizojmë qëndrimet. Unë mendoj se duhet ta kemi përkrahjen edhe të Organizatës së Veteranëve, në mënyrë që të sigurojmë që të gjithë ata që janë vërtetë veteranë të marrin pensionet që ju takojnë, mirëpo ata që s’janë, atëherë askush nuk ka të drejtë as morale as ligjore që të kërkojë që të paguhen njerëzit për shkak të lidhjeve familjarëve, lidhjeve tjera, dhe të lëshimeve të cilat janë bërë në përcaktimin e listave të veteranëve”, tha kryeministri Mustafa.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e informoi kabinetin qeveritar lidhur me angazhimet pas arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, Nehat Thaçi.
“Ne jemi marrë intensivisht dje me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë të Mitrovicës në jug, z. Nehat Thaçi. Jemi marrë edhe në orët e hershme të mëngjesit. Zakonisht në kohë të tilla nuk bëjmë deklarata për opinion publik, sepse nuk është në natyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme paralelisht me angazhimin diplomatik të bëhen deklarata në proces. Kryeministër dua t’ju siguroj edhe juve edhe qytetarët se e kemi dhënë maksimumin nga ana jonë. Natyrisht që rastet e tilla janë të papranueshme për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, sikurse janë të papranueshme edhe rritja e numrit të kërkesave nga ana e Serbisë në kuadër të INTERPOL-it ku shpeshherë qytetarët e Republikës së Kosovës pa asnjë të drejtë ndalen në kufij të shteteve fqinje. Ne si Ministri e Jashtme deri më tash kemi menaxhuar 4-5 raste, ku i falënderojmë shtetet fqinje të Ballkanit të cilat kanë treguar mirëkuptim. Desha vetëm t’ju informoj se dje jemi marrë në mënyrë intensive. Dje kemi biseduar 2-3 herë me ministrin Hyseni dhe pa e mbi interpretuar këtë situatë do të japim maksimumin që të bëjmë një zgjidhje të shpejtë”, tha ministri Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, po ashtu bëri të ditur se gjatë gjithë së enjte kanë koordinuar përpjekjet që në kanale diplomatike, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, të interesohen dhe të bëjnë që Komandanti i Policisë në Mitrovicë, të lirohet sa më shpejt.
“Në bazë të informacioneve që kemi, nuk ka mbështetje ligjore për mbajtjen e tij në arrest. Vërtetë ne kemi qenë në presion të madh të opinionit që të deklarohemi, por ndërkohë që bëheshin të gjitha përpjekjet dhe po vazhdojnë të bëhen për lirimin e tij, është e pavend që të bëjmë deklarime publike që mund t’i vështirësojnë të gjitha përpjekjet për lirimin sa më shpejt të z. Thaçi. Natyrisht që është e papranueshme që shpeshherë në listat e INTERPOL-it figurojnë njerëz, qytetarë të Kosovës që kanë marrë pjesë në luftë në çfarëdo mënyre. Ky është një proces afatgjatë i cili duhet të zgjidhet qoftë përmes anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, qoftë përmes ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale midis shteteve”, tha ministri Hyseni.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar, ka ngritur çështjen e rregullimit të pagesës së kontributit financiar të anëtarësimit të Kosovës në RESPA.