Qeveria në detyrë ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), për shpronësimin e pronave në Hade e Shipitullë për nevojat e KEK-ut, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i MMPH-së, Ferat Shala, ka thënë se pas përmbushjes së procedurave ligjore për shpronësim të pronave kërkon nga Qeveria që të nxirret vendimi që ky propozim të miratohet.
“Departamenti i Shpronësimit pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pasi ka konstatuar përmbushjen e dispozitave ligjore 8,4,9,10, të Ligjit për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme kërkon nga Qeveria e Kosovës të nxjerr vendimin ekzekutiv me të cilin miratohet vendimi preliminar për ligjshmërinë e procesit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore zona e kadastrale Hade e Shpipitullë të komunës së Obiliqit”, tha Shala.
Kryeministri në largim Isa Mustafa, ka thënë, mas miratimit të propozimit të MMPH-së, janë krijuar kushte që të shmanget kriza energjetike, raporton EO.
“Unë mendoj se me këto procese mund të krijohen kushte ligjore që të veprohet në terren dhe të evitohet problemi i krizës, për të cilin është folur aq shumë sa i përket sigurimit të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike”, ka thënë Mustafa.