Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar tri vendime që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë të pijshëm në Leposaviq, mbështetjen e arsimit në Luginën e Preshevës dhe financimin e aktiviteteve në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Në mbledhje është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A., me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar ndarjen e 255,153.45 eurove për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë gjatë vitit shkollor 2025/2026.
Në një vendim tjetër, janë ndarë 40 mijë euro për mbështetjen e organizimit dhe realizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, me synim promovimin e Republikës së Kosovës, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekosistemit vendor.
Sipas vendimit të Qeverisë, nga kjo shumë, 20 mijë euro i janë ndarë organizatës FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, ndërsa 20 mijë euro organizatës ICK (Innovation Centre Kosovo).