Qeveria norvegjeze iu ndihmon qytetarëve të saj ta paguajnë energjinë elektrike

Prishtinë | 12 Dhj 2021 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Norvegjisë planifikon të subvencionojë faturën e energjisë elektrike për familjet për të zbutur ndikimin nga rritja e çmimeve të energjisë, tha kryeministri Jonas Gahr Stoere.

Kostoja e propozimit, i cili është subjekt i miratimit nga parlamenti, mund të arrijë në rreth 5 miliardë korona norvegjeze (560 milionë dollarë), për katër muajt nga dhjetori 2021 deri në mars 2022, tha qeveria, shkruajnë mediet e huaja.

Një rritje e kostos së energjisë elektrike në nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë ka bërë presion mbi qeverinë e pakicës së qendrës së majtë për të gjetur mënyra për të zbutur goditjen nga kriza.

“Një situatë e jashtëzakonshme si kjo kërkon masa të jashtëzakonshme,” tha Stoere në një konferencë shtypi.

Plani vjen pas masave të mëparshme të paraqitura nga qeveria që arrinin mes 4 miliardë dhe 5 miliardë korona, tha Ministri i Financave Trygve Slagsvold Vedum.

Sipas propozimit, qeveria do të paguajë gjysmën e pjesës së faturave të energjisë mbi çmimet prej 0.70 korona për kilovat orë (KWh) ose më shumë, me një kufi të vendosur në 5,000 KWh në muaj.

Deri më tani, çmimet e shitjes me shumicë në jug të Norvegjisë kanë qenë mesatarisht 1,89 korona/kWh duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar, sipas të dhënave nga bursa e energjisë elektrike Nord Pool.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme