Qeveria i ka identifikuar ngecjet që janë prezantuar në Raportin për Kosovën, i publikuar javën e shkuar nga Komisioni Evropian (KE), dhe është zotuar se shumicën e tyre do t’i adresojë sivjet.
I kanë dalë saktësisht 254 “sfida” që kërkojnë trajtim urgjent, shkruan sot Koha Ditore.
Që të gjitha janë listuar në Planin aksional për adresimin e rekomandimeve që përmban dokumenti, e të cilin Kabineti Qeveritar e ka miratuar të hënën.
Raporti i KE-së ka pasqyruar disa arritje që ka shënuar Kosova që nga raporti i fundit. Por më shumë ka listuar ngecje, mangësi dhe probleme. Në Raport janë dhënë edhe rekomandime, për të cilat në ekzekutiv kanë thënë se do të ndihmojnë që të shtyhen përpara reformat dhe të ecet më shpejt në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian (BE).
Në kuadër të kapitullit që liston kriteret politike dhe sundimin e ligjit janë dhënë zotime për të ndërmarrë veprime në funksion të demokratizimit të institucioneve dhe të reformave në administratën publike.