Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka paraqitur sot në mbledhjen e Qeverisë, projektligjin për Trepçën.
Ai ka deklaruar se ky projektligj ka për qëllim revitalizimin e gjigantit metalurgjik.
Stavileci bëri të ditur se sipas dispozitave ligjore, aksionar do të jetë Qeveria me 80 për qind, ndërkaq punëtorët me 20 për qind.
Stavileci tha se gjashtë muaj pas aprovimit të ligjit, Qeveria dhe Bordi i Trepçës, që pritet të jetë shoqëri aksionare, ta dërgojnë në Kuvend strategjinë për zhvillimin e saj.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq ka thënë se ka shumë paqartësi me këtë ligj, pasi sipas tij, ka disa pika kundërthënëse.
Dhe duke folur për strukturën e punëtorëve, Mariq tha se në Trepçë, në veri, punojnë 3 mijë serbë.
Mariq pyeti nëse do të thyhen ligjet ndërkombëtare meqë qeveria tenton të bëhet aksionare e 80% të aseteve të Trepçës. Sipas tij, duhet studimi i fizibilitetit.
“Nuk besoj që kemi bërë punë të mira me këtë ligj. Duhet fizibilitet. Bashkësia serbe po përjashtohet nga zhvillimi i Trepçës me këtë ligj si është tani”, tha ai.
E zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se “Trepça” tash po bëhet shoqëri aksionare, ligji është adekuat dhe do përfitojnë edhe punëtorët.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri tjetër, Branimir Stojanoviq, është shprehur kundër këtij ligji, pasi sipas tij, është dashur të bëhet plan më i mirë.
Ai thotë se s’kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit dhe se ky ligj ka rezultat politik.
Ai tha se ka frikë për serbët në veri dhe vendet e tyre të punës.
Stojanoviq tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre do e kundërshtojnë edhe në Kuvend.