Rreth 15 milionë euro nga buxheti i taksapaguesve kosovarë kanë shkuar për pagesa të vendimeve gjyqësore gjatë nëntëmujorit të vitit që lamë pas.
Këto shpenzime Qeveria e Kosovës i ka llogaritur në kuadër të kategorisë për investime kapitale, gjë e cila ka rezultuar me një ngritje të shpenzimeve për investime kapitale prej 6 për qind apo 17.4 milionë më shumë sesa vitin e kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për këtë kategori të shpenzimeve kanë qenë në dispozicion 710 milionë euro, megjithatë për nëntë muaj janë shpenzuar vetëm rreth 297 milionë. Kjo ka ndikuar që niveli i realizimit të projekteve nëpër ministri dhe komuna të mbetet i ulët.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale gjatë këtij 9-mujori ka shkuar për ndërtim të rrugëve, për shpronësime, për ndërtesa (shkolla, spitale dhe objekte të tjera publike), për pajisje, automjete për transport dhe siguri publike dhe investime kapitale.