Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se Qeveria aktuale nuk e ka prioritet transformimin e FSK’së.
Haradinaj ka thënë për “Epoka e re” se FSK-ja është në misionin ushtarak dhe kapacitetet e saj janë pothuajse ushtarake, por mungon edhe një transformim ligjor në mënyrë që ta marrë misionin e ri, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Haradinaj ka folur edhe për arrestimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaqi, duke thënë se ishte një pajtim i përbashkët i deputetëve të komisionit që drejton, se arrestimi i oficerit Thaqi duket më shumë veprim politik sesa juridik.
Në këtë drejtim, ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’ia bëjë me dije Brukselit dhe Serbisë se dialogu nuk mund të vazhdohet në këtë formë.
“Nuk ka dialog konstruktiv përderisa Serbia arreston zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.