Qeveria e Republikës së Kosovës ka përmbyllur sot me sukses Ankandin e 100-të me radhë të Letrave me Vlerë (KV004-17). Në këtë ankand u ofertuan Obligacione Thesari me maturitet 5 vjeçar në vlerë nominale 20 milionë euro. Shuma e ngritur do të shërbejë për rifinancimin e Obligacioneve të emetuara 2 vite më parë.
“Në këtë ankand, tregu shfaqi interesim për blerje të letrave me vlerë 44.62 milionë euro, kurse ne pranuam vetëm shumën e shpallur paraprakisht e që është 20 milionë Euro. Emetimi i Obligacioneve Qeveritare ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e tregut të brendshëm të huamarrjes shtetërore në njërën anë si dhe në anën tjetër ndikon në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillim ekonomik nga sektori real. Normat e ulëta nënkuptojnë konkurrencë për investim në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës si rezultat i besueshmërisë së lartë në qëndrueshmërinë fiskale të vendit. Kjo nënkupton kosto më të lirë të huamarrjes, gjë e cila ndikon drejtpërdrejtë në koston e investimeve në projekte zhvillimore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Blerësit sipas kategorive të obligacioneve Qeveritare të Ankandit KV004-17 janë, vetëm Bankat: 19.99 milionë euro.