Rreth 5.6 milionë euro në vit paguhen për qira për objekte ku janë të vendosur konsullatat e ambasadat e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës.
Kurse rreth 1.4 milionë euro qeveria shpenzon për qiranë e objekteve të institucioneve në vend.
Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, i tha Ekonomia Online, se buxheti të shtetit, qiraja e objekteve i kushton rreth 7 milionë euro Prej këtij buxheti, 80% shpenzohet për qiranë e konsullatave e ambasadave.
“Çdo vit, për ambasada për konsullata edhe qiranë brenda Kosovës paguhet përafërsisht 7 milionë edhe prej 7 milionëve 80% është pagesa e qirave jashtë Kosovës, përkatësisht ambasadave dhe konsullatave”, tha ai.
Ministri thotë se janë të përkushtuar në ndërtimin e objekteve të reja ku do të vendoseshin institucionet publike, por që nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të ndodh kjo e as sa objekte planifikohen të ndërtohet.
“Ne si Ministri e Administrimit Publike jemi të përkushtuar së pari për ndërtimin e institucioneve të ndryshme që pagesa për qiranë nga buxheti i Republikës së Kosovës çdo vit të ulet dhe të kemi një akomodim dhe menaxhim më të mirë”, sqaroi Yagcilar.
Shoqëria civile vazhdimisht ka kritikuar shpenzimin e parasë publike për qera të objekteve me arsyetimin se vendosja e institucioneve nëpër objekte private, ndodh edhe për shkak të interesave të caktuara, ngase me mjete e paguar do të ndërtoheshin objekte të reja.
Institucionet vazhdimisht kanë premtuar se do të gjendet një zgjidhje për institucionet publike që veprojnë në objekte private, që mos të shpenzohet buxheti për qera.