Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ende nuk ka marrë vendim a do të vazhdojë Kosova të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s.
“Është më shumë sesa kaq, më shumë sesa temë vetëm e ministrisë dhe odës së afaristëve, është temë nacionale në planin e jashtëm se si i qasemi ne mekanizmave ndërkombëtar, nuk kemi një qëndrim final ende dhe do ta diskutojmë edhe pak qasjen tonë ndaj CEFTA-s dhe mënyrën e përfaqësimit tonë atje, kjo është e trashëguar nga koha e UNMIK-ut dhe tani duhet me kaluar në një etapë të re por nuk po ngutemi me thanë se si do të veprojmë”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik 2007. Marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Edhe më tutje Kosova përfaqësohet në CEFTA përmes UNMIK-ut.
Më 2008 institucionet kosovare ndërruan edhe vulat doganore, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. Ndërrimi i vulave shërbeu si shkak për Serbinë dhe Bosnjë për të bllokuar eksportin e mallrave kosovare në këto dy shtete. Që nga 4 dhjetori 2008, kompanitë kosovare nuk mund të eksportojnë në këto dy vende.
Me qëllim të lehtësimit të procedurave për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), vendet e Evropës Qendrore, Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, më 1992, formuan Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).
Marrëveshja e CEFTA-s u bazua në konceptin e ekonomisë së tregut, pasi që shtetet anëtare mendonin se zhvillimi i mëtutjeshëm ekonomik mund të arrihet vetëm përmes promovimit të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë.
Haradinaj më tej foli edhe për cilësinë e naftës në vend.
“Sa i përket derivateve në përgjithësi ato janë burim i energjisë ose energji, realisht në gjithë botën është një vëmendje e madhe në këtë sektor. Besojmë se ashtu siç biseduam edhe me ministrin që do të ketë një kompetencë më të lartë në këtë fushë edhe një kujdes bazuar në ligj”.
Për projektin e Brezivicës, Haradinaj tha se do të bëhemi më kreativ, ngase projekti i kaluar ka qenë shumë i madh i pa përballueshëm për buxhetin e shtetit.
“Sa i përket Brezovicës ka qenë një projekt shumë i madh i cili nuk është realizuar, tani duhet me qenë kreativ e me gjet ndonjë projekt ndoshta jo aq të madh sa i pari, nëse ka investitor pse jo por është parë që është e vështir me e sigurua një investitor aq të madh, pra mund të shkojmë me sekuenca, pra të kemi një herë një pjesë të caktuar, një investim të caktuar pastaj ta lëmë mundësinë që në etapa nëse ka interesim”.
Haradinaj këto komente i bëri gjatë vizitës në Ministrinë e Tregtisë. Kurse, ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, tha se kanë biseduar për punët që kanë bërë dhe planin se si do të veprojnë më tutje.
“Biseduam me kryeministrin, i tregova për gjendjen se në çfarë gjendje e kam gjetur ministrinë, cilat punë i kemi bërë deri më tani dhe për planin se si do të veprojmë më tutje. U dakorduam që ta shtojmë dinamikën e punës sepse mendojmë që është një ndër ministritë më të rëndësishme të vendit, u pajtuam që ta shtyjmë edhe planin e MSA-së, aty ku bien përgjegjësitë e ministrisë tonë. Ne jemi edhe koordinator të reformave ekonomike, udhëheqim me TASK- forcën e të bërit biznes kështu që na presin shumë punë për të bërë”.