Qeveria nuk po arrin ta zbatojë Ligjin për “Trepçën”, të miratuar në tetor të 2016-s. Në konkursin për anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të kësaj ndërmarrjeje të hapur para tre muajve, sipas zyrtarëve qeveritarë, nga 100 aplikantë asnjë prej tyre nuk i përket komunitetit serb, shkruan sot Koha Ditore.
E me Ligjin për “Trepçën” Qeveria synon që t’i përfshijë nën menaxhimin e një bordi dy pjesët e kësaj ndërmarrjeje, pra edhe atë që menaxhohet nga serbët në veri të vendit.
Formalisht “Trepça” si e tërë ndodhet në menaxhim të AKP-së, ani se përmes ligjit, tri asetet thelbësore të kësaj ndërmarrjeje kanë marrë statusin e shoqërisë aksionare.
Ligji e bën Qeverinë aksionaren kryesore të Minierave me Flotacion Trepça – Stantërg, Minierave me Flotacion Kishnicë dhe Artanë si dhe Minierave me Flotacion Kopaonik – Leposaviq. Ekzekutivi i mban 80 për qind të këtyre aksioneve, kurse pjesa tjetër u takon punëtorëve.