Qeveria ua ndan nga 100 euro qytetarëve, teksa inflacioni në Kosovë ka arritur në 10%

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Qeveria Kurti sot ka vendosur t’u ndajë nga 100 euro punëtorëve të sektorit publik, privat, pensionistëve dhe studentëve, por bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës – ASK, inflacioni në Kosovë ka arritur në 10 për qind.

ASK ka bërë të ditur sot se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit tregon rritje të çmimeve për 10 për qind në muajin mars të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2021.

Rritja e inflacionit bazohet në ngritjen e çmimeve të konsumit dhe shërbimeve.

Bazuar në njoftimin e ASK-së, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te faturat e energjisë elektrike me 13 për qind, pasuar nga gazi me 11.4 për qind.

Vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 për qind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërkaq veshjet për 4.9 për qind, u tha në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Çmimet në tregun e Kosovës kanë shënuar rritje që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Rritjes së çmimeve i ka kontribuar ndalimi i eksporteve të produkteve bazike nga shtetet e rajonit.

Kosova importon pothuajse të gjitha llojet e produkteve nga shtetet e rajonit dhe Evropës.

Sipas të dhënave të ASK-së, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh.

Të ngjashme