Ministria e Financave ka ulur mëditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit. Ky vendim ka ardhur pas raportimeve të shumta në media dhe presionit nga shoqëria civile se në vendet me standard më të ulët të jetesës, siç janë vendet e rajonit, mëditjet kanë qenë më të larta, sesa në vendet me standard të lartë të jetesës, shkruan sot Koha Ditore.
Në bazë të vendimit ndryshime ka pësuar “kompensimi” për udhëtimet në Shqipëri. Me tarifat e vjetra, mëditjet në këtë shtet janë paguar nga 209 euro, ndërsa tani do të paguhen 130 euro. Në këto tarifa përfshihen fjetja dhe ushqimi bashkë me shpenzime të tjera. Ngjashëm është vepruar edhe për Maqedoninë. Ndryshim tjetër shihet edhe tek Afganistani dhe Zvicra. Në vendin aziatik, në të cilin më parë është paguar mëditje prej vetëm 82 eurosh, kurse me vendimin e ri mëditja për këtë vend shkon deri në 200 euro. Kurse, për Zvicër ato janë rritur nga 251 euro në 320 euro.