Qeveria e Kosovës vlerëson lartë debatin e zhvilluar sot lidhur me procesin e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Qeveria shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e debatit për kontributin e tyre në këtë debat shumë të dobishëm për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi.
Nëpërmes një komunikate shtypi, Qeveria thotë se pas dëgjimit të çdo argumenti dhe fjale në këtë debat, vlerëson se në të ka dominuar argumentimi i cili konfirmon se procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi.
Qeveria shpreh mirënjohje të posaçme për qëndrimet shumë të vlefshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit të BE-së.
Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria paralajmëron se “do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje”.