Qeverisë i bëhet thirrje ta rinegociojë CEFTA-n

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Republika e Kosovës duhet të rinegociojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, e njohur si CEFTA, pasi që nga nënshkrimi i saj, Kosova nuk është trajtuar e barabartë më vendet anëtare të kësaj marrëveshje, thonë ish-zyrtarë të Qeverisë se Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, kjo marrëveshje është nënshkruar në kohë jo të duhur dhe në të shumtën e rasteve, kjo marrëveshje ka dëmtuar ekonominë e Kosovës.

Rezultatet e marrëveshjes në atë kohë kanë qenë vetëm në aspektin politik dhe jo në atë ekonomik. Sa i përket shkëmbimeve tregtare të Kosovës me bllokun e CEFTA-s, Kosova ka raport jo të mirë në mes eksportit dhe importit.

Të dhënat e Agjencisë se Statistikave të Kosovës tregojnë se në vitin e kaluar importi i mallrave nga vendet anëtare të CEFTA-s ka qenë mbi 856 milionë euro, kurse eksporti i mallrave të Kosovës në vendet anëtare të kësaj marrëveshjeje, po në këtë vit ka qenë 183 milionë euro.

Në këtë mekanizëm, përveç Kosovës anëtarë të tjerë janë: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale është shumë e favorshme që Kosova të tërhiqet nga ky mekanizëm dhe më pas të rinegociohet. Arsye e kësaj, sipas ish-ministrit, është se Kosova në këtë mekanizëm ende përfaqësohet si UNMIK dhe jo si Republikë e Kosovës.

“Sa kam qenë ministër kam kërkuar që kjo marrëveshje të rinegociohet. Mirëpo tash pas situatës se krijuar, pas vendosjes se tarifës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është koha që Kosova të tërhiqet plotësisht nga CEFTA dhe me një mundësi rinegocimi që kjo marrëveshje të nënshkruhet si Republikë e Kosovës. Shtetet e tjera anëtare të CEFTA-s kanë bërë shumë shkelje. Kosova është injoruar, marrëveshja asnjëherë nuk është zbatuar nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hasani.

Edhe Ismet Mulaj, ekspert për çështje ekonomike, thotë se për arsye politike dhe ekonomike, Kosova duhet të rinegociojë këtë marrëveshje.

“E para arsye është ekonomike, për shkak se në kohën kur është negociuar marrëveshja e CEFTA-s, Kosova nuk ka mbrojtur asnjë produkt të vetin, për shkak se ka qenë viti 2007 dhe prodhimtaria e Kosovës ka qenë në hapat fillestar. E dyta është arsye politike dhe juridike. Kosova është i vetmi vend anëtar i CEFTA-s që merr pjesë me (akronomin) UNMIK-un në tavolinën e CEFTA-s. Pra, zyrtarisht UNMIK është anëtar i CEFTA-s, kurse Kosova është pjesë e delegacionit të tij”, shprehet Mulaj.

Në këtë mekanizëm, Republika e Kosovës është anëtarësuar në vitin 2007. Për shkak se në atë periudhë Kosova nuk e kishte të zgjedhur statusin, marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMiK-ut, Joachim Rucker.

Kurse në aspektin ekonomik, Bajram Hasani, thotë se shteti i Kosovës ka përfituar më se paku nga shtetet anëtare të këtij mekanizimi.

“Kosova nuk përfiton nga kjo marrëveshje, Kosova në vazhdimësi është dëmtuar nga kjo marrëveshje”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Ismet Mulaj thekson se kjo marrëveshje, madje shumë herë, ka vështirësuar aktivitetin biznesor të prodhuesve kosovarë.

Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të këtij sektori, prodhimet “Made in Kosova” vështirë kanë depërtuar në tregun rajonal, kurse prodhimet e huaja pothuajse kanë mbuluar tregun vend.

“CEFTA ka dëmtuar prodhuesit kosovarë. Për shkak se produktet rajonale dalin me çmim më të lirë në treg, pasi politikat e shteteve tjera janë që të subvencionojnë eksportin e produkteve të tyre. Ndërsa, Kosova nuk ka ndonjë politikë të subvencionimit, avokatisë apo promovimit të eksporteve tona në arenën ndërkombëtare”, tha Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Institucionet e Kosovës paguajnë rreth 20 mijë euro në vit për pjesëmarrje në marrëveshjen e CEFTA-s.

Qeveria e Kosovës e ka akuzuar disa herë Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën se nuk kanë zbatuar marrëveshjen e CEFTA-s apo me vështirësi prodhimet e Kosovës kanë hyrë në tregjet e tyre.

Më 21 nëntor Kosova ka vendosur tarifa doganore prej 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje që menjëherë t’i heqë këto tarifa, por kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme