Në shtatorin e vitit të kaluar ka nisur vendosja e tabelave me emërtime të rrugëve në të gjitha vendbanimet rurale dhe në disa rrugë të qytetit të Pejës nga një kompani e angazhuar nga Qeveria norvegjeze, si financuese i këtij projekti.
Në disa raste banorët i kanë hequr tabelat, kurse nuk janë të pakta edhe rastet që qytetarët e mllefosur i kanë bërë më ngjyrë të zezë tabelat. Tabela të tilla janë edhe në fshatin Vitomericë, shkruan sot Koha Ditore.
“E kanë emërtuar rrugën tonë me emër të një boshnjaku nga Bosnja dhe një rrugë tjetër me emrin e një boshnjaku nga Mali i Zi. Nuk jemi dakord, se nuk e dimë kush janë ata. Nuk po kuptojmë pse m’i emërtua rrugët tona me emra të dikujt që nuk janë as të këtij vendi. Unë nuk e di se kush i ka ngjyrosur apo që i ka heqë tabelat, por ne këtu nuk lejojmë emërtime të tilla të rrugëve tona”, ankohet Sadik Pajaziti, banor i Vitomericës.