Selektori i Qipros, Temur Ketsbaia, ua ka bërë me dije lojtarëve të tij se fitorja ndaj Lituanisë i përket të shkuarës dhe se të hënën i pret një ndeshje edhe më e vështirë. Ketsbaja thotë se edhe ndaj Kosovës futbollistët e tij do të hyjnë në fushë për fitore.
Ndeshja Qipro – Kosova luhet të hënën nga ora 18:00 në stadiumin “ΑΕΚ Arena” në Larnaca.
“Sigurisht që duam pikët e plota pas fitores në udhëtim ndaj Lituanisë. E dimë që do të përballemi me një ekip me talente, me lojtarë nga liga shumë të mëdha. Pas ndeshjes së parë besoj se skuadra do të japë diçka më shumë për të fituar. Ajo që ka rëndësi është se kemi pasur një fillim të mbarë. Mungojnë disa lojtarë, por ne treguam edhe në ndeshjen e parë se kemi gjasat tona”, ka thënë Ketsbaia të dielën në konferencën për media para ndeshjes ndaj Kosovës.
Kosova nuk është kundërshtare e panjohur për Qipron. “Dardanët” i kanë fituar dy ndeshjet e zhvilluara në vitin 2022, përkatësisht në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen e luajtur në Larnaca më 2 qershor të vitit 2022, “Dardanët” fituan me rezultatin 2:0, ndërsa më 27 shtator fituan 5:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të hënën Qiproja dhe Kosova e luajnë ndeshjen që i takon Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Qiproja e fitoi ndeshjen e parë, 1:0, të premten ndaj Lituanisë, kurse Kosova humbi 3:0 në Prishtinë nga Rumania.
Selektori i qipriotëve e cilëson Kosovën kundërshtare më të fortë se Lituania.
“Kosova sigurisht nuk është Litani. Ne duam ta luajmë lojën tonë. Le të presim rastin tonë për të shënuar. Pavarësisht se e humbi ndeshjen e parë në shtëpi, Kosova ka ekip të mirë. Por ne treguam edhe disa gjëra. Fatkeqësisht deri tash nuk i kemi pasur shikuesit afër. Tani shpresojmë t’i kemi me vete dhe të arrijmë qëllimin tonë. Se sa e arritshme është fitorja, do ta shohim. Ne do ta japim maksimumin”, është shprehur Ketsbaia.
Mbrojtësi i Qipros, Giorgos Malekkidis, po ashtu ka theksuar se synimi ndaj Kosovës është fitorja.
“Ndeshja e radhës në shtëpi, dhe do të ishte e rëndësishme fitorja’, ka thënë mbrojtësi 27-vjeçar i skuadrës qipriote, Apollon Limassol.
Shumica e lojtarëve të Qipros luajnë në kampionatin qipriot. Pak prej tyre luajnë në klube evropiane.
Nicholas Ioannou është lojtari i vetëm i grupit aktual të lojtarëve të Qipros që luan në njërën prej pesë ligave më të forta në Evropë. Ai është pjesë e skuadrës elitare të Italisë, Como.
Malekkidis pret mbështetje të madhe nga tribunat për ta mposhtur Kosovën. Ai thotë se ndihma e tifozëve është jetike.
“Është një garë ku të gjithë besojmë se mund të arrijmë diçka. Uroj që shikuesit të vijnë të na mbështesin, të bëhemi një dhe të gjithë së bashku të kërkojmë fitoren. Një fitore gjithmonë ndryshon disponimin”, thotë 27-vjeçari.
Te përfaqësuesja qipriote janë bërë disa ndryshime, dhe sipas mbrojtësit është kthyer edhe atmosfera pozitive.
“Ne kemi vendosur disa baza të rëndësishme. Me atmosferën që ka ndryshuar në skuadër, ne do të bëjmë më të mirën”, ka thënë Malekkidis.
Në tetor Qiproja i luan dy ndeshjet e tjera. Luan në shtëpi ndaj Rumanisë më 12 tetor, kurse tri ditë më vonë në Prishtinë kundër Kosovës.
Në nëntor Qiproja e pret Lituaninë, kurse më 18 nëntor luan ndaj Rumanisë.