Katërdhjetë e shtatë kosovarë nga diaspora të cilët kanë lindur ose janë shtetas të vendeve të huaja i janë bashkuar ISIS-it, thuhet në një raport të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Kjo shifër e dalë nga rreth 250 kosovarë që i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Lindje të Mesme
Sipas këtij raporti, Gjermania ka numrin më të madh të këtyre luftëtareve, gjithsej 14 kurse nga Zvicra ishin 8 persona.
Skënder Perteshi, analist dhe studiues në QKSS dha autor i hulumtimit, tha se disa nga arsyet për këtë radikalizim te diasporës kosovare janë predikuesit fetarë të cilët lirshëm predikojnë radikalizmin dhe ideologjitë ekstremiste me bazë fetare.
Presteshi shtoi se afro 1 milion shqiptarë jetojnë në Evropën Perëndimore, ku shumica jetojnë në Gjermani dhe Zvicër.
“Afro 1 milion qytetarë jetojnë në Evropën Perëndimore, ku pjesa më e madh jetojnë në Gjermani dhe jo rastësisht që pjesa më e madhe që kanë udhëtuar në vendet e luftës në Lindjen e Mesme, vijnë nga Gjermania dhe Zvicra. Për rreth 253 luftëtarëve të huaj kanë udhëtuar prej Kosovës në luftën e Sirisë dhe Irakut, ku 47 prej tyre kanë origjina prej diasporës”, tha ai.
Ndërkaq foli edhe për shkaqet që iu janë bashkuar qytetarët e diasporës luftës në Lindje të Mesme.
“Kur flasim për shkaqet, arsyet janë të ndryshme. Mund të themi se ka mijëra shkaktarë që kam ndikuar që të rinj me origjinë prej diasporës kanë shkuar në konflikte të huaj mirëpo në bazë të profileve që ne i kemi bërë, kryesisht lidhet me krizën e identitetit që ata përballen, mungesa e njohurive të religjionit, lidhjet e pakta që i kanë me Kosovën e kështu më radhë. Po ashtu faktor tjetër është ndjenja për të jetuar në kuadër të shtetit islam apo ndjenja për të jetuar në kuadër të xhihadit islam”, tha ai.
Liza Gashi, eksperte për çështjet e diasporës dhe migrimit, tha se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bërë aq sa duhet që ta trajtojnë diasporën në këtë drejtim.
Ajo ka folur edhe për mësimin në gjuhën shqipe, duke shtuar se formati dhe mënyra lë për të dëshiruar, raporton EO.
“Ne kemi një diasporë të re që nxirret një bazë sesi do të funksiononte, krahasuar me diasporat e vjetra që kanë akses në vendet evropiane. I ka dy gjeneza kjo puna e afrimit të diasporës, njëra ka të bëjë me faktin që kemi diasporë të re dhe të pa mbrojtur, ku shteti i Kosovës dhe Shqipërisë nuk është se ka bërë shumë që ta trajtojë diasporën ka aspekti vuberalitetit”.
“Kemi 200 mijë studentë potencial të cilët kanë kapacitetin për me mësuar gjuhën shqipe, ndërsa ne kemi arrit vetëm 20 mijë prej tyre dhe kjo ndërlidhet me strategjinë që e ka ministria e Arsimit për me ofruar mësimin plotësues jashtë vendit. Edhe mësimi në gjuhën shqipe që ofrohet jashtë vendit lë shumë për të dëshiruar për nga formati dhe për nga kualiteti”, tha ajo.
Sipas QKSS-së, diaspora kosovare në Gjermani është e ndarë në tri etapa. Etapa e parë ishte gjatë viteve 1950-60 ku ata që shkuan në vendet e Evropës perëndimore ishin kryesisht punëtorë të pakualifikuar dhe shkuan për të përmbushur mungesën e krahut të punës pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore ku Evropa përjetoi një zhvillim të hovshëm ekonomik.
Vala e dytë ishte nga viti 1980 deri 1999 si pasojë e politikave represive të Beogradit dhe luftës së fundit. Dhe vala e tretë është pas vitit 2002 kryesisht si pasojë e ekonomisë së dobët dhe jo stabilitetit politik.
“Në rastin e Gjermanisë, individët më të radikalizuar të diasporës kosovare janë pjesë e brezit të ri të diasporës, të cilët ose janë larguar nga Kosova në moshë të re për t’i shpëtuar konflikteve të viteve 1990, ose kanë lindur në Gjermani”.
Por, ka edhe raste kur ekstremizmi i ka prekur edhe familjet kosovare që kanë emigruar para shumë dekadash.
Ahrid Uka, familja e të cilit kishte emigruar nga Kosova 45 vjet më parë, në vitin 2011 kreu një sulm në Aeroportin e Frankfurtit ku vrau dy ushtarë amerikanë.
“Ai u radikalizua dhe u ndikua nga videot e përleshjeve midis forcave amerikane dhe organizatave të armatosura në Afganistan. Sipas tij, sulmin kundër ushtarëve amerikanë e kreu si një akt hakmarrjeje për përfshirjen e SHBA-së në Afganistan”.
QKSS thotë se duhet bërë një vlerësim i përgjithshëm lidhur me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm ne mesin e diasporës kosovare e sidomos asaj në Gjermani, raporton EO.
“Duhet të miratohet dhe zbatohet një program i përbashkët shumëvjeçar, i hartuar nga autoritetet shtetërore gjermane dhe kosovare, që përfshin aktivitete kulturore dhe edukim fetar të diasporës kosovare në Gjermani. Ky program do të kontribuojë në parandalimin e ideologjive të dhunshme ekstremiste në mesin e diasporës kosovare dhe do ta bëjë diasporën më rezistuese ndaj të gjitha llojeve të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”.
Sipas QKSS-së, Qeveria e Kosovës duhet të rris përfaqësimin e diasporës në institucionet e Kosovës dhe diaspora nuk duhet parë vetëm si kontribuues i ekonomisë përmes remitencave.