Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar konferencën me titull “Kosova në kontekst rajonal, alternativat kundrejt dialogut me Serbinë, dhe raportet e fuqisë ushtarake në rajon”.
Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, këtë vit përveç lansimit të të dhënave të Barometrit Kosovar të Sigurisë – Edicioni Special me trendët e perceptimeve të qytetarëve të Kosovës kundrejt Politikës së Jashtme dhe Dialogut me Serbinë u mbajtën dy panele diskutimi që trajtuan tema kyçe për Kosovën.
Naim Rashiti nga grupi Ballkanik për hulumtim të politikave ka thënë se pavarësisht dialogut me Serbinë Kosova nuk ka humbur nga dialogu sepse rezultati kryesor i dialogut është policia dhe gjykata në Veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
“Normalizimi i Kosovës dhe Serbisë do të jetë një ditë para hyrjes në BE të Serbisë, dhe nga kjo nuk do të jetë e mundur sepse kjo nuk është në agjendë e Bashkimit Evropian. Dialogu ka pasur përfitime e nuk duhet injoruar, këto përfitime janë duke filluar nga Mitrovica e veriut dhe policia dhe gjykata e Republikës së Kosovës që janë atje. Në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë provokime do ketë, por menaxhimi i të dy palëve ka treguar se janë duke e shtyrë normalizimin. Ndalja e trenit vjen si rezultat i dialogut ky mund të duket paradoks, por është e vërtetë. Dhe si përfundim Kosova nuk ka humbur nga dialogu pavarësisht incidenteve”, ka thënë Rashiti.
Kurse Dardan Velija opinionist ka thënë se Kosova nuk ka një vizion siç kishte në vitet e 90-99-ta. Ai gjithashtu tha se nëse do të kishte një vizion dialogu me Serbinë do ishte gjithmonë në favor tonin dhe nuk do të ndodhnin këto incidente.
“Siguria që na e kanë paraqit politikanët tanë gjithmonë ka pasur në mbështetje më ndihmën e ShBA-së por me zgjedhjet në Amerikë filluam të tronditemi duke thënë se Kosova nuk do të jetë e rëndësishme në politikën e jashtme të ShBA-së, por kjo na tregon se sa e brishtë është situata tek ne. Në Kosovë ka mllef kundër Serbisë dhe Serbia ka urrejtje kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në vitet e 90 Kosova pa pasur vizion por ai vizion ka përfunduar në 1999 edhe nuk është funksionalizuar kurrë sepse ajo ka përfunduar me luftën. Shoqëria e Kosovës e përfaqësuar nga politikanët , nga shoqëria civile ka dështuar në krijimin e një vizioni të ri për shoqërinë tonë. Politika është Ad-hoc, e cila bëhet sot për nesër”, ka theksuar Velija.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe Milica Andriq nga OJQ-ja “Aktiv” me qendër në Veri të Mitrovicës. Ajo ka thënë, se edhe pse Serbia po bllokon administratën, Kosova vazhdon të jetë ajo që nuk ua mundëson serbëve të Kosovës të marrin dokumentet identifikuese, qoftë edhe një certifikatë martesore.
“Tërë kohën po dëgjojmë se Serbia po bllokon administratën sepse Serbia ka ndikim por qytetarët serb në Kosovë kanë problem në qasje në dokumente. Ju nuk mund të thoni që jeni shtet pasi që nuk i lejoni të jenë qytetarët të jeni qytetarë. Kosova vazhdimisht bënë digresion gjithmonë kur flitet për Veriun bënë provokime nacionaliste. Ne e dimë se Serbia na përdor si mjet në procesin e integrimit të saj evropian por jemi edhe arsye e çfarëdo problemi të vetëm që ekziston. Mitrovica ka edhe dy ura tjera Serbet kosovarë nuk mund të marrin lejen e kerrit njerëzit që vozitë qe 15 vite por prapë duhet të paguajnë nga 300 euro për leje vozitje”, ka thënë Andriq.
Konferenca pati për qëllim të jep përgjigje shqetësimeve për të ardhmen e dialogut me Serbinë si dhe fuqive ushtarake në rajon duke sjellë një numër të politikëbërësve, studiuesve, akademikëve, dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të diskutuar gjetjet kryesore të perceptimeve të qytetarëve ndaj bashkëpunimit rajonal, dialogut me Serbinë.