Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë?”, në të cilën u tha se Kosova është vonuar qe tri vjet me formimin e ushtrisë.
Florian Qehaja drejtor ekzekutiv i QKSS-së tha se formimi i ushtrisë është çështje e brendshme dhe se Kosova është vonuar në krijimin e saj, raporton Ekonomia Online.
“Është mjaft e rëndësishme të diskutohet dhe kemi hyrë në një proces të pakthyeshëm dhe ne pyesim pse Kosova mos të ketë ushtri? Ne jemi për atë që të shteren të gjitha bindjet politike. Çështja e formimit të ushtrisë është çështje e brendshme” ka thënë ai.
Daut Haradinaj deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, theksoi se është kriteri i fundit formimi i ushtrisë që Kosova nuk e ka përmbushur. Ai tha se janë dy rrugë për këtë “e para me u bë ndërrimet kushtetuese dhe ky është realiteti”.
“Nuk është qëllimi me krijuar mekanizëm që do ta rrezikonte qytetarin e Kosovës. Do të jenë mekanizma për paqe në rajon. Ne sot jemi në një situatë të palakmueshme, sepse askush nuk po merr guximin me deklaruar as ministri as kryeministri. Ata i kanë 30 ditë afat. E mira do të ishte që ai ligj të procedohet. Nuk ka tendencë me u prish me faktorin ndërkombëtarë. Kosova nuk po krijon ushtri me sulmuar dikë” ka thënë ai.
Vjosa Osmani deputete e LDK-së, ka thënë se këtë çështje e ka ngritur që një kohë të gjatë. Ajo ka theksuar se nga viti 2013 ligjërisht kanë pasur të drejtë, që përpos çështjes së emrit, të gjitha çështjet tjera mund të rregullohen me ligj.
“Të gjithë kemi shpresuar që iniciativa e presidentit është bërë në bashkëpunim me partnerët strategjikë. Kjo nuk është fushë që mund ta bëjmë duke injoruar NATO-në dhe ShBA-në. Tashmë që procesi ka filluar është që kjo kohë që ka mbetur që institucionet e vendit të angazhohen në diskutime publike. Kundërshtia e Serbisë në të gjithë Pakon e Ahtisarit ka qenë ushtria. Është ditur mirë që Serbia do ta kundërshtojë çdo moment dhe nuk mund të presim që ajo ta ndryshojë retorikën ndaj kësaj”, ka thënë ajo.
Sipas saj Kosova duhet të merr vendime vet. Ajo ka thënë se nuk ka asnjë rrethanë që do ta bind që të votojë kundër këtij procesi, duke shtuar se nuk mjafton që ndryshimet të bëhen dhe të mbesin në letër.
Rexhep Selimi deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se nuk guxojnë asnjëherë të thonë se nuk kanë mbështetjen e partnerëve dhe se Kosova është e gatshme që të ketë transformim të ushtrisë.
“Diçka që nuk po mund t’i shmangemi është koha e zgjedhur nga pushteti për ta trajtuar këtë temë. Asnjëherë nuk ka ardhur te asnjë deputet për të votuar ndryshimet. Po kërkohen fajtorët para se të dihen ata pse është kjo gjendje aktuale”, ka thënë ai.
Sipas tij kjo iniciativë është formale.
“Reagimi i partnerëve strategjikë kundrejt këtij ligji nuk nënkupton ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës sepse janë të njëjtit që kanë ngrit kapacitete e FSK dhe kjo është bërë për shkak se nuk ka ndodhur koordinimi. Po ashtu ka munguar edhe koordinimi institucional”ka shtuar Selimi.
Ndërsa, Kadri Kastrati ish-komandant i FSK-së, ka thënë se FSK-ja është ngritur që nga fillimi në bashkëpunim me partnerët tanë.
Ai ka përmendur edhe hapat që kjo e fundit duhet t’i ndjekë për të ecur përpara.
“Kosova duhet ta ketë ushtrinë që t’i mbrojë kufijtë e vet, elementi i dytë është që forca ushtarake nuk do të jetë benefit vetëm për Kosovën, por edhe për NATO-n, e treta është se serbët e Kosovës kanë refuzim të butë dhe arsyeja është se diku 50 serbë janë në FSK. Të gjithë këta ushtarë janë duke u ndier rehat dhe kurrë nuk kanë qenë të diskriminuar, të gjithë janë duke vepruar në koordinim me komunitetet”, ka thënë ai.
Sipas tij, në momentin që ky ligj aprovohet në Kuvendin e Kosovës, dihet që brenda natës nuk do të ndryshojë asgjë, pasi që siç tha ai, janë disa faza që kjo forcë duhet të zhvillohet. Ai ka pasur edhe një kërkesë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“MFSK-ja përmes atasheve ushtarak të bëjë fushatë që të informohen këta të fundit se sa ne kemi kapacitete, sepse neve na duhet bashkëpunimi i plotë”, ka thënë Kastrati.