Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është bërë me 300 shtretër të rinj, të destinuar për klinika të ndryshme të këtij institucioni.
Ky është ndërrimi i parë i shtretërve pas 20 vjetësh, përveç investimeve të veçanta nëpër reparte, raporton Ekonomia Online.
Sot është dorëzuar kontingjenti i parë nga 750 shtretër sa do të shpërndahen tërësisht, investim ky që arrin shifrën prej 1 milion e 300 mijë euro.
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismajli, është shprehur tejet i kënaqur me këtë investim, që sipas tij vjen pas ankesave të shumta.
“750 shtretër modern të pajisur me dyshekë për klinikat e QKUK-së. Kohës kur qytetarët tanë janë shtrirë në shtretër të vitit 1980 e të mbajtur nga blloqet, dërrasat dhe dyshekët e stërvjetëruar i erdhi fundi. Sot dorëzuam vetëm kontigjentin e parë prej 300 shtretërve për të siguruar qëndrim të dinjitetshëm qytetarëve tanë nëpër klinikat e QKUK-së”.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se do të vazhdojnë me investime tjera në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për pacientët.
“Blerja e shtretërve të rinj do të përmirësoj hospitalizimin e qytetarëve tanë, i cili deri më sot nuk ka qenë në nivelin më të mirë”, ka thënë ai.
Nga 750 shtretër të cilët kanë vlerën prej 1.3 milion euro, 300 prej tyre janë me 3 thyerje, 100 me 4 thyerje, 15 shtretër janë me 4 thyerje për Ortopedi, 20 shtretër janë transportues dhe 300 të tjerë mekanik.
