QKUK-ja përfiton donacion në vlerë prej 240 mijë dollarë

Prishtinë | 09 Mar 2017 | 16:37 | Nga

Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe organizata ndërkombëtare “Direct Relief” kanë dhuruar donacion në vlerë prej 240 mijë dollar për qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.

Donacioni parasheh dhënien e medikamenteve esenciale, materiale,dhe pajisje, me fokus të veçantë në shtetet në zhvillim.

Dafina Krasniqi, koordinatore e programeve në fondacionin, “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” tha se nevoja për medikamente është e përhershme dhe konsideron se bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare që ndihmojnë shtet në zhvillim është i domosdoshëm.

“Nevoja për medikamente është e përhershme në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor dhe ne konsiderojmë se bashkëpunimi i qëndrueshëm me organizatat ndërkombëtare të dedikuara në përmbushjen e nevojave mjekësore të popullsisë në shtetet në zhvillim është më se e rëndësishme,” ka theksuar ajo.

Ky donacion, i dyti me radhë i realizuar nga organizata Direct Relief, përmes partnerit vendor Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, falë marrëveshjes së lidhur vitin e kaluar, marrëveshje kjo që siguron dhurimin e materialeve mjekësore në mënyrë të vazhdueshme në Kosovë. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë do të sigurojë pranimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, dhe shpërndarjen e donacioneve të pranuara.

Direct Relief është një organizate jo-fitimprurëse, bazuar në SHBA, e cila punon për përmbushjen e nevojave të partnerëve të saj për medikamente esenciale, materiale, dhe pajisje, me fokus të veçantë në shtetet ne zhvillim. Arritja e kontigjentit të dytë në Kosovë u mundësua falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët” në Kosovë dhe “Meet Us Halfëay” në Nju Jork.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjat e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme