Numër brengosës i të lënduarve në natën festive të ndrrimit të moteve, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike UNiversitare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Avdush Bajgora, shef i reanimimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, e ka cilësuar këtë si natën më të tmerrshme, duke përmendur disa raste të lëndimeve nga mjetet piroteknike dhe rastin më të rëndë, atë me humbje të jetës nga aksidenti në magjistralen Prishtinë-Podujevë, i cili ndodhi gjatë ditës së sotme.
“Ka qenë natë e tmerrshme. Numri i aksidenteve ka qenë jashtëzakonisht i madh. Sidomos në rrugën Podujevë – Prishtinë, një ka humbur jetën, tre në gjendje të rëndë, dy nga të cilët janë në kirurgji. Kanë ndodhë gjatë ditës. Ka pasë edhe aksidente tjera por ky vlen të theksohet”, tha Bajrgora, raporton EO.
Në minutat e fundit të 2018-ës dhe të parat të këtij vitit, Bajgora thotë se ka pasur edhe pacientë më lëndime të rënda si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Para 15 minutave kanë filluar të vijnë persona të lënduar nga mjete piroteknike. Një pacient ka pasur lëndime të rënda, te pjesa e buzës që e ka pasë të çarë. Ka edhe persona që kanë djegie. Janë 5-6 raste. Në krahasim me vitet tjera është numër më i vogël, siç duket njerëzit kanë filluar të vetëdijësohen për mjetet piroteknike”, shtoi Bajgora.