N.V., 43-vjeçare, e cila vuan nga kanceri i gjirit, u kthye mbrapsht nga mjekët e Klinikës së Onkologjisë në QKUK të premten, kur shkoi për të marrë trajtimin.
Kjo pasi që asaj iu tha se në këtë klinikë mungon herceptina.
Vushtrriasja u privua nga trajtimi me rreze, pasi që nuk pati mundësi ta siguronte vetë këtë ilaç që kushton 1 mijë e 500 euro.
Mungesën e këtij ilaçi, i cili është targetTerapi për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit ose i lukthit, e konfirmuan edhe nga Klinika e Onkologjisë.
Drejtori i kësaj klinike, doktor Arben Bislimi, tha se ky medikament mungon nga e hëna dhe se janë duke punuar që të furnizohen sa më shpejt me këtë ilaç.
“Është e vërtetë se nga e hëna, në Klinikën e Onkologjisë, ka pasë mungesë të medikamentit Trastuzumab apo si është e njohur më shumë si Herceptin dhe si rezultat i kësaj, pacientët nuk kanë arritë ta marrin të njëjtën. Jemi duke u munduar që për kohë sa më të shpejtë të bëhet furnizimi me këtë ilaç, duke prëfshi të gjithë përgjegjësit relevantë. Derisa ilaçi është në mungesë vetëm nga dita e hënë, pacientët tanë janë në normative të trajtimit dhe përcjelljes”, tha ai.
Mirëpo, deklaratën e Bislimit se ky ilaç mungon vetëm nga kjo javë e mohon vëllai i pacientes në fjalë i cili kërkoi që të mbetet anonim.
Ai hedh dyshime se ka pasur keqpërdorime, pasi thotë se mjekët e Onkologjisë i kanë thënë se mungesë të këtij ilaçi ka pasur edhe të premten.
Pohimin e tij ai e mbështet me udhëzimin mjekësor për të blerë këtë medikament që mban datën 19 gusht./Klankosova.