Institucionet publike shëndetësore në gjithë vendin kanë në dispozicion vetëm një rezonancë magnetike. Kjo ka bërë që deri në mesin e vitit të ardhshëm të mos ketë termin të lirë për pacientët që kanë nevojë për këto shërbime.
Por, pavarësisht premtimeve për të blerë një rezonancë të re, ajo ende nuk ka ndodhur, edhe pse sipas ekspertëve shëndetësorë, një rezonancë e re shtetit mund t’i kushtojë rreth 500 mijë euro.
Deri në mesin e muajit korrik të vitit 2019, është plotësuar lista e pritjes për të kryer një rezonancë magnetike në aparaturën e vetme në nivel vendi të cilën e kanë institucionet publike shëndetësore. Gazmend Syla, mësimdhënës nga Skenderaj, kishte marrë rrugën nga atje për të kryer një ekzaminim të tillë mjekësor. Por në klinikën radiologjike i thanë se radha mund të vijë tek pas disa muajsh.
Syla thotë se koha e gjatë e pritjes po i detyron pacientët që një ekzaminim të tillë mjekësor ta kryejnë nëpër klinikat private të cilat e posedojnë një aparat të tillë. E aty çmimet janë të ndryshme. Për një rezonancë magnetike pacientët kosovarë paguajnë nga 100 deri në 300 euro nëse ajo bëhet me kontrast dhe anestezion.
Drejtoresha e Klinikës radiologjike, Serbeze Kabashi Mucaj, thotë për RTK-në se ka listë të pritjes, por jo për rastet emergjente. Sipas saj, për shkak të kërkesave shumë të mëdha nga e gjithë Kosova në klinikën që ajo drejton po punohet në dy ndërrime.
Drejtoresha Serbeze Kabashi Mucaj thotë se barra është rënduar edhe më shumë në disa raste kur rezonanca ka qenë në prishje. Kjo për shkak që siç thotë ajo aparatura është e stërvjetruar prandaj në disa raste ua vështirëson edhe diagnostikimin për shkak të imazherisë së dobët.
Ndonëse ka kohë që është premtuar investimi në aparatura jetike në QKUK, një gjë e tillë ende nuk është realizuar.
Edhe drejtori i tanishëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu është zotuar se së shpejti do të sigurohet një tjetër rezonancë magnetike.
Në gjithë nivelin shëndetësor në përgjithësi problem vazhdon të mbetët vjetërsia e aparaturave. Investimi në to kap shifrën e mbi 60 milionë euro, ndërsa për vetëm një rezonancë magnetike profesionistë e fushës thonë se buxhetit të shtetit i duhen rreth 500 mijë eur