Në Qendrën e Numërimit të Votave (QNR) është duke u pranuar materialin e ndjeshëm zgjedhor nga komunat e vendit, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, raporton Ekonomia Online.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), tha për Ekonomia Online se rezultatet përfundimtare do të dalin “shumë shpejt”, por nuk dha një datë të saktë se kur do të publikohen ato.
“Shpresojmë të kemi rezultate ne një kohë optimale sa më shpejt që është e mundur. Aktualisht është duke u pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga komunat e Republikës së Kosovës. Deri më tani është numëruar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga një numër i madh komunash në Republikën e Kosovës”.
Ai tha se në QNR, po bëhet punë intensive dhe se po punohet me kapacitet të plotë. Elezi tha se pas skenimit të formularëve pritet që KQZ t’i publikojë listat në ueb faqen e KQZ-së për kandidatë për kryetar dhe kandidatë dhe për kandidatë për asamble komunale.
“Në QNR po punohet me kapacitet të plotë. Pas skanimit të formularëve për çështje të transparencës, KQZ do t’i publikojë listat në ueb-faqen zyrtare dhe gjithë kandidatët për kryetar komune dhe asamble komunale mund t’i shohin rezultatet për secilin vendvotim”.
Numërimi i votave me kusht dhe të dërguara me postë do të fillojë vetëm pas skenimit të fletëvotimeve.
“Në QNR është duke u skanuar lista e rezultateve të fletëvotimeve të rregullta për të filluar numërimi i votave me kusht dhe votave të ardhura me postë”.
Kurse sa i përket fushatës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash, Elezi tha se koha kur do mbahet fushata është i përcaktuar me ligj, katër jave pas raundit të parë domethënë me 19 nëntor, ndërsa kohëzgjatja e fushatës përcaktohet me vendim nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë kanë pasur të drejtë vote. Në këto zgjedhje ishin gjithsej 899 qendra votimi me 2 505 vendvotime.
Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë vëzhguar procesin e zgjedhjeve lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.
Numri i kandidatëve që janë certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ishte 7 091 kandidatë, prej tyre 6 887 kandidatë për Kuvende Komunale, ndërkaq 204 kandidatë për kryetar komune.