Fushata denigruese e Ankarasë kundër deputetëve gjermanë duhet të marrë fund. Presidenti i Bundestagut, Lammert dha sinjal të qartë. Dhe është mirë kështu. Por organizatat e mëdha turke po heshtin, mendon Richard Fuchs. Zgjedhja e momentit të duhur mund të ketë rëndësi vendimtare. Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert jep një shembull të mirë, një gjë vendimtare. Dhe ai jep edhe një shembull të mirë për momentin që zgjedh për t’u shprehur. Pikërisht një javë ka kaluar, që kur Bundestagu gjerman miratoi me shumicë të madhe një rezolutë për gjenocidin ndaj armenëve. Një javë që kur Presidenti i Turqisë mendoi se duhet t’i mbulonte me deklarata raciste deputetët gjermanë me rrënjë turke. Kundër kësaj Lammerti dha një sinjal të qartë.
Parlamenti mbështet çdo deputet
Ai që shpif, kërcënon ose vë në situatë të vështirë deputetë të veçantë, tha Lammert të enjten në fillim të mbledhjes parlamentare, ai prek me të të gjithë Parlamentin. Dhe ai që nis grindje me Bundestagun gjerman, ai nis grindje me të gjithë demokratët në këtë vend. Bravo Norbert Lammert! Këtë pamje ka një skenar kërcënues njëqind për qind demokratik. Kjo është përgjigjia e duhur ndaj një fushate pa bazë denigruese – përgjigje e dhënë në emër të të gjitha grupeve parlamentare të Bundestagut!