Pozita dhe opozita nuk po lëvizin nga pozicionet e tyre sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, ndonëse miratimi i kësaj marrëveshjeje është njëra nga dy kriteret, përfshirë këtu edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE).
Në anën tjetër, përfaqësuesit e shteteve më me ndikim në Kosovë, ata të SHBA-së e të Gjermanisë, thonë se pa e ratifikuar Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi dhe pa e luftuar korrupsionin s’ka liberalizim të vizave për Kosovën.
Zëdhënësi i ambasadës gjermane në Kosovë, Marten Menger, ka thënë për “Zërin” se liberalizimi i vizave tani është kompetencë e Komisionit Evropian, megjithatë ka nënvizuar se Kosova ende nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara.
“Çështja e liberalizimit të vizave është kompetencë e Komisionit Evropian. Kosova tashmë ka plotësuar një numër të madh të kritereve për liberalizimin e vizave, mirëpo kriteret përkitazi me Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi dhe me dëshmimin e luftimit të korrupsionit kanë mbetur pa u përmbushur”, ka thënë Minger për gazetën “Zëri”.
Ai ka shtuar se Ambasada gjermane nuk mund të japë ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo pasi që, siç thotë ai, përmbushja e kritereve është detyrë e Qeverisë kosovare.