Qumështarët kërkojnë ndihmë nga deputetët

Prishtinë | 26 Pri 2018 | 10:14 | Nga

Shoqata e Fermerëve Kosovarë u është drejtuar me një letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës, lidhur me vendimin e masës së parakohshme mbrojtëse prej 17% për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Kjo është letra e plotë e tyre:

Letër e hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, po ju drejtohemi me këtë letër për të kërkuar ndihmën tuaj në një çështje në të cilën ndjehemi të tradhtuar nga qeveria.

Më 16 prill të këtij viti Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse prej 17% për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky vendim është marrë pas shumë ankesave nga akterët e sektorit të qumështit për tregëti të padrejtë me këtë shtet që ende as që e njeh Kosovën. Vendimi është i bazuar edhe në hetimet profesionale të bëra nga departamentet përkatëse në MTI në bashkëpunim edhe me akterë tjerë qeveritarë.

Vendimi për vendosjen e masës së përkohëshme mbrojtëse ndaj importeve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është pritur mirë nga të gjithë qumështarët dhe fermerët kosovar pa asnjë dallim dhe konsiderohet si një ndër vendimet më të mira të marra për sektorin tonë në dekadat e fundit.

Megjithatë gëzimi ynë mori fund me takimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj me homologun e tij nga Bosnja e Hercegovina gjatë Samitit Digjital ne Shkup, ku Haradinaj premton prolongimin e masës mbrojtëse.

Ky lajm u publikua gjërësishtë në Bosnjë e Hercegovinë por edhe tek ne.

Të premtën ne marrim një email nga MTI me kërkesën për kinse hetime shtesë rreth ndikimit të importit të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, ku në fund thuhet se nëse MTI nuk merr përgjigjet e duhura deri të hënën me 23 prill kur Vendimi do të duhej në fuqi, atëherë ata nuk do të mund të vazhdojnë me masën mbrojtëse.

Ne kemi dërguar përgjigjet tona MTI-së ku i shpjegojmë që shoqatat nuk janë përgjegjëse për hetimet e importeve të padrejta dhe i kujtojmë se vendimi është marrë pas hetimeve nga komisioni ndërministror i krijuar pikërisht nga MTI. Por është e qartë se këto gjëra i ka ditur edhe MTI, por duke kërkuar arsyetim për mosaplikimin e vendimit të vet, ka dalur me një gjetje të tillë të pyetjeve shtesë për qumështarët.

Si rrjedhojë vendimi për masën mbrojtëse ndaj importeve nga Bosnja dhe Hercegovina nuk është duke u aplikuar dhe kjo është bërë të hënën publike edhe në media.

Ne ju lusim që ju si përfaqësues të drejpërdrejtë të popullit të kërkoni përgjegjësi nga Kryeministri dhe qeveria për këtë çështje që prek me mijëra fermerë e qumështarë, të punësuarit dhe familjet e tyre.

Me respekt
Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit
Besim Kuqi

Shoqata e Qumështarëve të Kosovës
Ramadan Memaj

Të ngjashme