Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, mbajti një konferencë për media në të cilën u sqaruan përkitazi me kallëzimin penal të bërë nga Ramadan Memaj, ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe disa kompanive vendore që “përdorin produkte me yndyrë bimore”, duke u deklaruar si produkte të qumështit.
Alajdin Fusha, menaxher në kompaninë “ABI”, në Prizren, tha se akuza e bërë nga Ramadan Memaj në emër të Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, është tendencioze dhe ka për qëllim shkatërrimin e imazhit të kompanisë që ai drejton, por edhe prodhuesve në përgjithësi, raporton Ekonomia Online.
“Si kompani jemi të shqetësuar për përhapjen e dezinformatave që për qëllim kanë dëmtimin dhe shkatërrimin e përpunuesve vendor, e në veçanti sektorin e qumështit në Kosovë. Dyshimi kryesor është që manipulimi është bërë me qëllim me mostrat e marra”, tha ai.
Edhe kryetari i kësaj shoqate, Gani Durmishaj tha mostrat e dërguara në Maqedoni na Ramadan Memaj janë të falsifikuara dhe janë bërë me qëllim të përfitimit, ngase sipas tij edhe ai posedon qumështore.
Ai bëri të ditur se kompetent për marrjen e mostrave është vetëm AVUK-u, nga i cili institucion janë edhe të licencuar.
Ndërsa shton se janë të pajisur me certifikata të standardeve evropiane, duke siguruar konsumatorët se prodhimet e tyre janë të sigurta, si në Kosovë ashtu edhe në BE.
Ditë më parë në një konferencë për media, Ramadan Memaj në emër të Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, deklaroi se në bazë të informacioneve që kanë grumbulluar nga viti 2014 deri tash, kanë vërejtur mashtrim të konsumatorëve, ku vaji i palmës shitet për produktet e qumështit.
Ai tha se kanë dërguar një kallëzim penal në prokurori kundër Agjencisë së ushqimit dhe disa kompanive vendore që përdorin produkte me yndyrë.