Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ka folur në emisionin Frontal në T7 lidhur me shërbimin ushtarak, që kishte qenë një nga dakordimet e partive të koalicionit LVV – LDK, raporton Gazeta Express.
“Ne jemi në vitin e dytë të përmbushjes së planit të tranzicionit që është parapa të përfundojë në vitin 2027, nuk ka diçka që nuk mundet me evolu, merren parasysh parametra të ndryshëm por për momentin mendojmë që viti 2027 është koha optimale që ne ti kemi të arritura të gjitha kapacitetet ushtarake”, ka thënë Quni, teksa, ka folur edhe për karakterin e limitet që do të ketë kjo trupë.
“Sa i përket limiteve nuk kemi limite, thjesht është një planifikim i detajuar duke u bazuar në mundësitë tona, duke përçuar mesazhin që po krijojmë forcë që do të jetë gardian i paqes, nuk jemi duke ndërtuar forca të karakterit ofanziv, që tregon se nuk kemi pretendime, kur është në pyetje sovraniteti ne e mbrojmë territorin”, thotë ai.
I pyetur për shërbimin ushtarak, sic ishte paralajmëruar në marrëveshjen e koalicionit, ai thotë se një gjë e tillë është shtyer për shkak të rrëzimit të Qeverisë e pandemisë.
“Kur është bërë dakordimi për programin qeverisës, partitë LDK LVV janë pajtuar që të ardhmen të ketë shërbim ushtarak, për tre muaj. Kjo situatë që është kriju nuk na ka dhanë komoditet që ti marrim hapat me një dinamikë të kuptueshme, tash me të gjitha kapacitetet jemi përqendruar në pandemi.
Këtë ide e kemi plasuar në takime në mënyrën sa ma të mirë, e të jetë e pranueshme. Autoritetet e Serbisë e kanë transmetuar këtë lajm si kërcënim , e arsye për destabilizim. Ne e kemi një mirëkuptim, ekzistojnë të gjitha parakushtet që në momentin kur kalon situata ne të merremi me këtë çështje”, thotë ai.