Qysh sillet Edi Rama me “delet” e tij?

Prishtinë | 24 Kor 2017 | 16:36 | Nga Kimete Berisha

Së pari, po ua mbulon ‘m.t.n me lule’.
– I ka mbuluar muret e mykura me tapet-piktura që t’i ‘qorrojnë sytë’ nga ngjyrat e ndezura, ngjyra që jo veç e ‘mbysin’ artin dhe t’i marrin edhe mendtë, por e rrëzojnë edhe kalin;
– e ka shtruar tepihun e kuq shkallëve të Facebook-ut;
– Timeline-n e e ka improvizuar në teatër, ndërsa cover-in në projektor kinemaje.
– E ka çel televizionin e tij dhe ia ka vë emrin ERTV (Edi Rama TV) dhe kështu u ka dhënë mesazh gazetarëve dhe mediave se s’ka nevojë për ndërmjetësues midis tij dhe popullit, se ai vet është spiker, gazetar, regjisor, kameraman, dhe korrespodent i punës së tij.

Si tregimi për Budën, i cili, për ta fshehur nga i biri i tij ‘anën e errët të jetës’, e mbajti larg njerëzve të vuajtur, larg të sëmurëve, larg varrezave dhe vdekjes, dhe djali u rrit duke mos e ditur se në botë ekziston mjerimi dhe dëshpërimi, varfëria dhe sëmundja, vdekja dhe tragjedia.

Por, e keqja nuk fshehet me fjalë, as me art, as me mençuri, sepse është kategori. Prandaj, një ditë prej ditësh, ndodhi…dhe djaloshi sikur kur e sheh lugatin u habit kur e pa një lypës në rrugë, pastaj një njeri të verbër, e në fund një varr…
Duke dashur ta mbrojë të birin nga ‘e vërteta e keqe’, e ndëshkoi të birin që kur t’i zbulojë të kqijat e kësaj bote-t’i zbulojë të gjitha përnjëherë, t’i bien në kokë si gurët e bjeshkës njëri pas tjetrit.

Kur e ‘zbuloi’ varrin e parë, u kthye ngai ati dhe e pyeti:
-Çka është ky?
Është vdekja-iu përgjegj!
-E çka është vdekja?
Është fundi i jetës!
-Jeta ka fund?
Po.
-Pse?
‘S’di’, u përgjegj Buda i ditur.

Kur digjen flakë malet e Shqipërisë, Edi Rama e shuan zjarrin e tyre me ujin e detit të cilin e poston urgjentisht në Facebook, më shpejt se zjarrëfikësit.

‘Deti’ i tij nuk ka roja plazhi, mungojnë vrojtoret, mungojnë shpëtimtarët, mungojnë flamujt që duhet të precizojnë vendet ku s’bën të notohet, në bregdetin e Shqipërisë mbyten njerëzit, por Facebook-u i tij e ka ‘Rojen e Etikës’, i cili i nxjerr nga faqja e tij komentuesit e cekët, para se të mbyten në thellësinë e mençurisë së tij dhe në detin e shpirtit të tij ‘artistik’!

Gjithandej mbeturia dhe papastërti, Edi Rama publikon fotografi me fshesa e lopata të reja, të ‘bukura’, të papërdorura, dhe punëtorë të buzëqeshur që i mbajnë në duar ato.

Ideja për ‘aestetizimin në politikë’ është më e vjetër se Edi Rama, dhe baza e saj është fashizmi.
Sipas kësaj teorie, jeta dhe çështjet e jetesës konceptohen si artistike dhe lidhen si të tilla me politikë. Nga ana tjetër, politika shihet si artistike dhe e strukturuar si një formë arti, në konceptin artistik të jetës, për ta bërë jetën të duket si art.
Pastaj, ‘Futuristët italianë’ (që visheshin bukur), për t’iu kundërvë sintezës së Bashkimit Sovjetik krijuan ideologjinë se ‘politika i nënshtrohet artit’, e në fakt ata në emër të artit ishin fashistë.

BH e ka shkruar një shkrim të gjatë për patikat adidas të Edi Ramës, dhe aq me afsh e kish rrahur këtë temë, sa të mbushet mendja që për rolin dhe rëndësinë e adidas-kave në jetën e njeriut po flet pronari i ‘Adidas-it’, ose për peshën e tyre në fashion po flet Jean- Paul Gaultier.
Patikave adidas u jepet konotacion ‘estetik’ dhe fetishizohen ato patika nga autori deri në atë shkallë sa thua ti se estetika e patikave të Edi Ramës, estetika e Hartmanit dhe estetika e Hegelit kane të njejtin subjekt studimi.

Nuk shkojnë patikat me tesha ‘katë’ e kravatë, m’sa trenerkat a shkojnë me këpuca me shtiklla.
Nuk dukej bukur as estet kryeministri, m’sa duket bukur nusja me dimija e me patika; m’sa ata burrat që mbathin sandale të zeza me çorapa të bardha dhe ato hanumet me dallama e jelekë prej arit që po i qëndisin ato veshje me logot e Ajfonit.

Pra, është kiç të të shihet logoja në rrobe, s’është estetike. Si këto çikat e ‘pasura’ pa punu asnjë ditë në jetën e tyre, që i reklamojnë pa pare çantat Louis Vuitton. Ku ka më shku më kiç se kjo!

Pastaj, politikisht rrezikon kur i bën reklamë një firme të caktuar mbathjesh a rrobesh, sepse ajo firmë mund të jetë e lidhur me korrupcion dhe me krim, siç ka afera korruptive me politikën kompania e kozmetikës L’oreal apo edhe ‘Adidas’ që u përmend sa herë për të keq.

Ti edhe mund ta lyesh krejt trupin tënd me lëng hudhre, si Salvador Dali dhe ashtu i lyer të futesh në restorant;
Mund të shkruash në muret t’ua me jashtëqitje në vend të ngjyrës së lapsit siç bëri Marquis de Sade, por ama ata nuk e kanë marrë mbi vete fatin e miliona shqiptarëve. Ata kanë qenë artistë të vërtetë, s’kanë pasur nevojë për vota të popullit për t’u ndjerë gjallë.
Përfytyro Salvador Dalin duke u grindur gjithë ditën e lume me popull nëpër Facebook ?.

Pastaj, sahat e dakik, ua ka tesh njerëzve, që del e i pyet popullin ‘çka po doni prej meje’. ‘Tregomëni Ju çka duhet të punoj’.
Veç ende nuk i ka pyetur si nusja e ktyneherit-vjehrrën ‘cilin fustan po ke qejf me vesh unë sot për ty’

Populli e kanë zgjedhur që ai të vendos për ta, se me qenë ata që dinë të vendosin për vete nuk e kishin zgjedh atë…!
Ky duhet t’u tregojë popullit ‘çka është më mirë për ta’, e jo e kundërta, sepse populli duan njerëz që u prijnë për të mirë, se sikur të dinin të prinin populli, do të bëheshin prijës vetë.

Bariu Edi Rama i pyet ‘delet e tij’, ‘ku duhet me ju çu?….tregomani udhën deri te stani, aman.

Në stilin e Edi Ramës, unë do të shkruaja kështu:
Mirëmëngjes, miq e mikesha!
Tregomën çka dëshironi të ju shkruaj sot!
Numëroni temat që u interesojnë nga 1-100!
Tregomëni stilin që duhet ta përdorë!
Unë s’kam të vërtetat e mia, ju lutem tregomëni cila është e vërteta, dhe unë do ta shkruaj atë, sipas diktimit tuaj…Ju jeni bashkëautorët e mi.
Dhe pastaj, kur të shkruaj (e ata të komentojnë mbi shkrimi tim), të çohem të nervozohem, t’i shajë, t’i shpall budallenjë, idiotë dhe injorantë, t’i mallkojë lexuesit dhe t’i kërcënojë me ekskomunikim, si Edi Rama, të gjithë, pa përjashtim!

P.S. Shqiptarët duan prijës që ua kryen punën dhe nuk e hap gojën shumë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme