Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se në Kosovë së shpejti do të aplikohet Sistemi i Rimbursimit të Depozitave në Kosovë.
“Tashmë kemi hapur zyrtarisht thirrjen për Administrator të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave (SRD-së)”, ka njoftuar ministri, duke shtuar se të interesuarit mund të aplikojnë.
Aliu ka theksuar se Sistemi i Rimbursimit të Depozitave do të ulë ndjeshëm ndotjen nga shishet plastike, shishet e qelqit dhe kanaçet e aluminit.
“Ky sistem njëherit është një mekanizëm ku konsumatorët paguajnë një depozitë për produkte si shishe plastike apo të tjera dhe pastaj e marrin këtë depozitë përsëri kur e kthejnë produktin e zbrazët”, ka thënë tutje ai.