Banorët e Kosovës kërcënohen nga mjedisi i ndotur jetësor i cili po ndikon në rritjen e numrit tësëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore e madje edhe shkakton vdekjen e njerëzve. Kështu thonë ekspertë të çështjeve të ruajtjes së ambientit.
Për kah degradimi i mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë. Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, flasin për rreziqet e madha që vijnë nga ndotja e ambientit.
Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova është duke u përballuar me ndotje të madhe të ajrit, ujërave dhe tokave. Gjendjen e mjedisit në shumë komuna të Kosovës, Bektashi e quan alarmuese.
“Në përgjithësi ndotja e ajrit në Kosovë është në nivel të madh dhe situata shëndetësore dhe mjedisore nuk është aspak e lakmueshme”, thekson Bektashi.
Për qytetarët të cilët jetojnë në zonat ku janë të vendosura termocentralet apo edhe kompanitë industriale, rreziku për shëndetin është më i lartë, thotë Bektashi. Ndotja industriale, paraqet një kërcënim më vete. Termocentralet që furnizojnë pjesën më të madhe të Kosovës me rrymë, janë të ngritura në komunën e Obiliqit, prej nga jo vetëm Obiliqi, por edhe Prishtina dhe zonat përreth kontaminohen nga ajri i ndotur.
Hazir Sylejmani një qytetar nga Komuna e Obiliqit, thotë se nga ndotja e lartë e ajrit po rrezikohen qytetarët, derisa autoritetet, siç thotë ai, nuk kanë marrë masa konkrete.
“Ambienti në Kosovë është shumë i ndotur sidomos këtu në Obiliq nga Termocentralet dhe nga mbeturinat që hidhen vend e pa vend. Institucionet nuk ndërmarrin asgjë. E gjithë kjo po shkakton rrezik për shëndetin, por pasi nuk kemi çfarë të bëjmë po jetojmë kështu në këtë ambient të ndotur”, thotë Syla.
Autoritetet në Kosovë, ndërkohë vazhdimisht kanë theksuar se mbeten të përkushtuar që në frymën e zhvillimit të qëndrueshëm të zbatojnë kërkesat për mbrojtjen e mjedisit. Ndotja e lartë e mjedisit konsiderohet edhe si shkaktar i sëmundjeve dhe vdekjeve thonë zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.
Udhëheqësi i OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se të rrezikuar nga ndotja e lartë e ajrit në Kosovë ndihen sidomos fëmijët, pleqtë dhe personat me sëmundje kronike.
“Qytetarët e Kosovës po kërcënohen nga mjedisi i ndotur”, thotë ai.
“Ndotja e mjedisit ka ndikim negativ në shëndetin e individit qoftë në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme që janë kryesisht të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të traktit respirator të zemrës, enëve të gjakut dhe gjithsesi ndikon edhe në shfaqjen e vdekjeve të parakohshme të individëve, duke përfshirë këtu edhe punëtorët të cilët punojnë në këto industri, si dhe qytetarët e rajoneve si Mitrovica, Obiliqi..”, thotë Syla.
Sipas Skender Sylës, kjo gjendje jo e mirë e mjedisit duhet të jetë një alarm për institucionet kompetente. Ndotja e mjedisit në Kosovë, përveç që shkaktohet nga kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, vjen edhe nga numri i madh i veturave. Në Kosovë llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite.
Agron Bektashi ekspert i mjedisit, thotë se ndotja e madhe e ambientit po bëhet edhe nga mbetjet industriale, të cilat kanë mbetur të pa trajtuara me dekada, si dhe nga hedhja e mbeturinave të qytetarëve në vende jo të duhura.
“Mbetjet industriale të cilat kanë mbetur me vite të pa trajtuara, në periudhat e verës faktikisht erërat atë pluhurin e kontaminuar një pjesë e madhe e popullatës së regjionit të Mitrovicës e thithë dhe mund të them që ai rajon në atë aspekt është shumë i rrezikuar dhe për fat të keq deri tani janë marrë shumë pak hapa për rehabilitimin apo mbylljen e këtyre deponive të mbetjeve industriale”, thotë Bektashi.
Nga ndërmarrjet të cilat gjenden në Kosovë, për kah mbetjet industriale prijnë kompleksi metalurgjik “Trepça”, që gjendet në Mitrovicë. Mbetjet e trashëguara nga veprimtaria e industrisë nga periudha e kaluar janë të shumta dhe kërkojnë investime për rehabilitimin e tyre, thonë udhëheqësit e këtij kombinati.
Drejtori i kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë dhjetëra miliona mbetje industriale të cilat shkaktojnë probleme mjedisore.
“Ne si Trepçë nuk kemi arritur të vijmë në situata të reflektimit për të investuar në aspektin ambiental. Por, edhe investimet apo donacionet kanë qenë pengesë për shkak të statusit të pazgjidhur të Trepçës. Mbetjet industriale janë disa që mund të valorizohen krijojnë të hyra me vlerë, derisa pjesa tjetër e mbetjeve do të trajtohen në mënyrë që të mos rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”, thotë Tmava.
Ndryshe, veturat e vjetra të cilat po konsiderohen si një nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë, me një vendim të Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, vlerësohet se ka rritur numrin e këtyre veturave gjatë afër dy viteve të fundit. /REL/