Qytetarët e Shqipërisë kanë mbi 8 miliardë euro nëpër banka komerciale

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Pasuria financiare e shqiptarëve vlerësohet të jetë pak më shumë se një trilion lekë ose rreth 8.1 miliardë euro. Ky tregues llogaritet si diferenca mes mjeteve dhe detyrimeve të individëve në produkte dhe instrumente financiare.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, individët zotëronin në fund të muajit dhjetor 2020, 1.1 trilion lekë depozita në sistemin bankar. Këtyre iu shtohen edhe investimet në tituj financiarë, qoftë direkt apo nëpërmjet fondeve të investimit. Sipas Ministrisë së Financave, investimet e individëve në bono dhe obligacione, në fund të muajit shtator 2020, kishin vlerën e afro 77 miliardë lekëve [620 milionë euro].

Ndërkohë, sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) asetet neto të fondeve të investimit në fund të 9-mujorit ishin rreth 67 miliardë lekë [540 milionë euro], në pjesën dërrmuese të zotëruara nga individët. Një investim tjetër, që ka marrë përmasa të konsiderueshme në vitet e fundit, është ai në obligacione të shoqërive tregtare. Shifra më e fundit e publikuar nga AMF i takon vitit 2019, kur vlera e obligacioneve të korporatave llogaritej në rreth 7.5 miliardë lekë [60 milionë euro], të mbajtura në pjesën më të madhe nga individë.

Në total, asetet financiare të zotëruara nga individët arrijnë në mbi 1.2 trilionë lekë [mbi 8 miliardë euro]. Po të zbresim kredinë për individë në sistemin financiar, që në fund të nëntorit 2020 kishte vlerën e 199 miliardë lekëve, shuma e ngelur prej gati 1.1 trilionë lekësh përbën atë që në nivel makroekonomik mund të quhet pasuria financiare e shqiptarëve; të paktën ajo e investuar në instrumente financiare formale.

Krahasuar me fundin e vitit 2019, ky tregues është rritur me rreth 3.5 për qind. Rritja e pasurisë financiare gjatë vitit të krizës më të ashpër prej 23 vjetësh lidhet kryesisht me rritjen e prirjes për të kursyer mes individëve dhe familjeve, tendencë kjo e ngjashme edhe në ekonomitë e tjera.

E matur për frymë, pasuria financiare e shqiptarëve do të rezultonte në rreth 353 mijë lekë apo afërsisht 2,850 euro. Në terma të pasurisë për frymë, ky tregues është rritur pak më shumë, me rreth 4.1 për qind në bazë vjetore. Rritja më e lartë e pasurisë financiare, matur për frymë ka ndodhur për shkak të fenomenit të vazhdueshëm të uljes së popullsisë së vendit.

Sidoqoftë, në realitet pasuria e shqiptarëve është mjaft e polarizuar dhe e pabarabartë. Sipas statistikave që publikon çdo vit Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në fillim të vitit 2020 rreth 3.3 për qind e depozituesve në sistemin bankar zotëronin 46 për qind të totalit të depozitave bankare. Në numër, janë rreth 96 mijë shqiptarë që së bashku zotërojnë depozita për një vlerë totale prej 551 miliardë lekësh ose 4.4 miliardë eurosh

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme